
Çfarë tregon studimi për ata që pijnë kafe çdo ditë
Pavarësisht nëse e konsumoni shqeto ose me qumësht, kafeja në fakt është bërë pjesë e përditshme e shumicës prej nesh.
Një studim i ri ka zbuluar se kafeja jo vetëm që sjell përfitime afatshkurtra por edhe afatgjata.
Sipas një studimi të ri të publikuar këtë javë, pirja e sasive të moderuara të kafesë mund të ulë rrezikun e vdekjes së hershme deri në 31%.
Studiuesit vëzhguan 171,000 britanikë dhe zbuluan se ata që pinin dy filxhanë në ditë kishin 16-21% më pak gjasa të vdisnin sesa ata që nuk pinin aspak kafe.
Një ekip nga Universiteti Mjekësor në Guangzhou, në Kinë, shqyrtoi gjithashtu të dhënat nga Biobank në Britani gjatë një periudhe prej shtatë vjetësh- veçanërisht tek individët që nuk kishin kancer ose sëmundje të zemrës.
Ata arritën në përfundimin se ata që pinë kafe në mënyrë “të moderuar”-të cilën ata e përkufizuan si 1.5-3 filxhanë në ditë, kanë një rrezik më të ulët të vdekjes së parakohshme, ose vdekjes nga kanceri ose sëmundjet e zemrës.
Është interesante që ekipi i tyre zbuloi gjithashtu se ata që pinë kafe pa ëmbëlsues kishin deri në 29% më pak gjasa të vdisnin sesa ata që nuk pinë kafe-dhe kjo shifër rritet në 31% për ata që shtuan një lugë sheqer.
Pra, shtimi i sheqerit mund të mos jetë aq i pashëndetshëm sa mendojmë.
Por, ekspertët theksojnë se rezultatet nuk dëshmojnë ‘përfundimisht’ se pirja e kafesë ul rrezikun e vdekjes. Ajo që ndoshta mund të themi është se pirja e kafesë me pak sheqer ndoshta nuk shkakton shumë dëm.
Kjo përputhet me studimin e publikuar në mars, i cili zbuloi se dy ose tre filxhanë kafe në ditë i bëjnë mirë shëndetit të zemrës.
*Tibo News