Çfarë po bëhet me lumin Vjosa?

Prej vitit 2014 aktivistë mjedisorë dhe dashamirës të natyrës kanë bërë thirrje që lumi i Vjosës të ketë një status të veçantë mbrojtjeje. Kjo sepse rrezikohet nga dhjetra projekte hidrocentralesh.
Së fundmi qeveria ka bërë hapa prapa duke u shprehur “pro” idesë së shpalljes Park Kombëtar të të gjithë rrjedhës së Vjosës.

Eco Albania është një nga organizatat që është marrë më së shumti me këtë çështje. Besjana Guri, përgjegjëse për mediat, tregoi për Tibo News se në Vjosë dhe degët e saj parashikohej të ndërtoheshin 40 hidrocentrale, 8 në rrjedhën kryesore dhe mbi 30 të tjerë në përrenjtë që e furnizojnë atë. Për momentin projektet duket se janë ndalur pasi Vjosës iu dha një status i pjesshëm.

Vjosa buron nga malet e Pindit në Greqi dhe rrjedh përgjatë 272 kilometrave në veriperëndim deri në Detin Adriatik. Rreth 192 kilometra Vjosa i përshkon në territorin Shqiptar. Fakti që ky lum vijon të ketë rrjedhë të lirë, pa diga, apo devijime, e bën atë lumin e fundit të egër në Europë.

Megjithëse mori statusin Park Natyror, mjedisorët thanë se ai nuk ishte i mjaftueshëm për të garantuar mbrojtjen e plotë nga projektet hidrike.

Për këtë EcoAlbania dhe organizata të tjera ndërkombëtare si RiverWatch dhe gjermania Euronatur nisën një peticion për të kërkuar shpalljen e të gjithë rrjedhës Park Kombëtar. Peticioni nisi në tetor të vitit 2021 dhe ngjalli mbështetje të madhe.

Peticioni u mbështet nga personalitete të njohura edhe përtej Shqipërisë, ndërsa aktivistët kësaj here ndërthurën mirë edhe aktivitetet kulturore me koncerte apo dhe dokumentare.

I gjithë ky angazhim duket se ia ka vlejtur. Këtë vit për Vjosën ka pasur zhvillime pozitive me autoritetet që tashmë po shfaqin vullnetin e duhur për t’i dhënë Vjosës atë që meriton.

Besjana thotë se tashmë është ngritur një grup pune dhe po shikohet mundësia për të krijuar një model të mirë parku sipas standardeve ndërkombëtare, që mund të aplikohet më pas edhe për vende të tjera në Shqipëri.

“Tashmë ne si EcoAlbania jemi pjesë e grupit të punës dhe e procesit të planifikimit të Parkut Kombëtar dhe po e ndjekim hap pas hapi se si po shkon [..] Është rasti i parë ku qeveria bashkëpunon me një kompani apo organizatë jo fitimprurëse për një qëllim të përbashkët, për të bërë një park të mirëfilltë, sipas standardeve ndërkombëtare, ato të unionit ndërkombëtar të ruajtjes së natyrës,”- përmbylli Besjana Guri.

*TiboNews