Çfarë është Cloud-i dhe si ka ndikuar në zhvillimin e internetit

Çfarë është Cloud-i dhe si ka ndikuar në zhvillimin e internetit

I ashtuquajturi “Cloud”, është një hapësirë e stërmadhe ruajtjeje të dhënash digjitale që zakonisht ka lidhje përmes internetit.

Gjithçka që duhet për të pasur qasje në këtë hapësirë, është një lidhje interneti dhe një pajisje të tipit kompjuter PC, laptop, tabletë apo dhe celularë.

Njohur ndryshe si sektori i së ardhmes, Cloud-i, mbetet një nga aspektet me më shumë rritje në botën e internetit pasi siguron potencial për qarkullimin e të dhënave në kapacitete të mëdha.

Falë Cloud-it, në vitin 2020 u arrit që qarkullimi i të dhënave në internet të ishte 50 herë më i lartë se në vitin 2015. Kjo rritje e vrullshme pritet të tejkalohet ndjeshëm 5 vitet e ardhshme duke u mundësuar përdoruesve të internetit një gamë më të madhe mundësish në informim, argëtim, punë, etj.

Ditët e sotme Amazon, Microsoft, IBM dhe Google, zënë peshën kryesore të hapësirave Cloud në rrjet. Përparimet në këtë sektor kanë shtyrë kompanitë të zhvillojnë qendra të mëdha të ruajtjes së të dhënave. 

Për arsye sigurie vendndodhja serverave të tyre mbahet e fshehtë.

Ndër kostot më të mëdha të Cloud-it, është konsumi i energjisë elektrike. Kompanitë kërkojnë jashtëzakonisht shumë rrymë për të mbajtur sistemin gjithmonë operativ dhe në rritje.

Hamendësohet se vetëm një Cloud i shtrirë në gjithë botën për një vit kërkon rrymë elektrike për t’u mbajtur funksional aq sa kërkon për konsum një shtet si Gjermania.

Sidoqoftë Cloud-i ka hasur probleme me ruajtjen e të dhënave, pasi shpesh fotografi, apo të dhëna të ndjeshme mund të rrjedhin nga sistemi nëse siguria e tij thyhet, bie, apo sulmohet nga hakerë.

*Përkthyer dhe përshtatur nga AFP.