Çfarë e pengon Perëndimin t’i japë avionë Ukrainës?

Gjatë një bisede private përmes një video-konference me ligjvënësit amerikanë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë fundjavës bëri një lutje “dëshpëruese” që SHBA t’i ndihmojë Kievit që të sigurojë më shumë avionë luftarakë për t’u përballur me pushtimin e Rusisë dhe për të mbajtur kontrollin e hapësirës së tij ajrore.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se Uashingtoni ka dhënë “dritën e gjelbër” për këtë ide dhe aktualisht po shikon “në mënyrë shumë, shumë aktive” për një propozim, sipas të cilit, shteti fqinj i Ukrainës, Polonia, ta furnizojë Kievin me avionë luftarakë të kohës sovjetike dhe në këmbim të marrë avionë amerikanë të tipit F-16.

Megjithatë, ky propozim është i mbushur me pasiguri dhe Polonia publikisht ka qenë më pak entuziaste për të për shkak se Rusia ka paralajmëruar se ndihma ndaj forcave ajrore të Ukrainës do të shihej nga Moska si pjesëmarrje në konflikt dhe do të mund të hapte mundësinë për kundërpërgjigje.

Forcat ajrore ukrainase përdorin avionë sovjetikë MiG-29 dhe Su për të mbrojtur qiejt dhe territorin e tyre nga pushtimi ushtarak i Rusisë që nisi më 24 shkurt. Ukraina ka bërë thirrje për avionë shtesë në mënyrë që të mund të vazhdojë këtë mision në terma afatgjatë.

Forcat ajrore ukrainase janë në disavantazh numerik në krahasim me forcat ajrore ruse, por pilotët ukrainas kanë vazhduar të kryejnë misione.

Pilotët ushtarakë të Ukrainës nuk janë të trajnuar që të fluturojnë me avionë luftarakë amerikanë dhe janë më të përgatitur që të manovrojnë MiG-29 apo avionët Su, që aktualisht përdoren nga ish-shtetet sovjetike që janë anëtare të NATO-s, siç janë: Polonia, Bullgaria dhe Sllovakia.

Ata do të ishin në gjendje që të operonin menjëherë me avionët MiG, por Polonia duket se nuk është shumë entuziaste që të humbë një pjesë të konsiderueshme të flotës së saj ajrore pa marrë avionë zëvendësues. Avionët F-16, të prodhuar në Shtetet e Bashkuara, po bëhen shtylla kryesore e forcave ajrore të Polonisë, teksa ky shtet po modernizon ushtrinë.

Pavarësisht qëndrimit politik mbështetës ndaj Ukrainës, Varshava po përballet me një vendim të rëndësishëm nëse mund t’i ofrojë bazat e saj ajrore për avionët luftarakë ukrainas.

Nëse vendoset që Ukraina të furnizohet me avionë, një prej problemeve kryesore do të jetë se ku do të vendosen avionët MiG, pasi ata nuk mund të vendosen në territorin e NATO-s. Është e paqartë nëse Ukraina do të jetë në gjendje t’i pranojë avionët dhe t’i mirëmbajë ata në terma afatgjatë, duke pasur parasysh luftën që po zhvillohet në këtë shtet.

Një tjetër pyetje që ende nuk ka përgjigje është se si do të dërgoheshin këta avionë në Ukrainë. Pilotët polakë, të cilët po ashtu janë pilotë të NATO-s, nuk mund t’i fluturojnë avionët për në Ukrainë pa rrezikuar përfshirjen e NATO-s në konflikt, dhe nëse pilotët ukrainas shkojnë në Poloni për t’i marrë këta avionë, sërish do të paraqitej një problem i ngjashëm.

Po ashtu qëndron edhe problemi i bllokadave në prodhimin e avionëve F-16, që nënkupton se çdo shtet që do t’i japë Ukrainës avionët MiG dhe Su, do të duhet të presë që t’i vijnë si kompensim avionët e prodhimit amerikan.

Ajo që duhet të pranohet është se ka komplikime që vijnë pas zgjidhjes së çështjes.