
Çelet Panairi Ndërkombëtar i Tiranës
E enjtja shënoi çeljen e Panairit Ndërkombëtar të Tiranës në Pallatin e Kongreseve.
Më shumë se 250 ekspozues marrin pjesë në panair, të cilët përfaqësojnë kompani të tregjeve të ndryshme, që mbulojnë sektorët nga ndërtimtaria, energjia e rinovueshme, bujqësia dhe industria ushqimore deri tek tekstili dhe industria e lehtë, digjitalizimi dhe siguria.
Pjesë e këtij panairi është edhe platforma TIBO.
Panairi zgjat deri më 4 dhjetor, teksa në çelje të saj ishin të pranishëm sipërmarrës, përfaqësues të binzneseve elitare, nga Serbia, Kosova, Mali i zi, Danimarka, Franca Gjermania dhe të tjerë, si dhe zyrtarë të pushtetit vendor.
Drejtuesi për Partneritet Strategjik në “Klik Ekspo Group”, Luel Muhametaj çeli panairin, ndërsa për Tibo News ai foli më gjatë, nga motoja e këtij panairi “Mendo Globalen, rrok virtualen!” tek digjitalizimi, sipërmarrja e të rinjve, qasjet e bashkëpunimet me vendet e tjera për fushën e biznesit tek projekti më i fundit e-transport, ku gjithçka është e digjitalizuar dhe Online.
E pranishme në panair ishte edhe Ines Muçostepa, presidentja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë.
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, pas fjalës së tij u ndal tek stendat e dedikuara, teksa u shoqërua nga presidenti i Klik Ekspo Grup Luan Muhametaj dhe zyrtarë të tjerë të lartë nga vendi e Europa.
Ky është edicioni i 28-të i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, i cili do shërbejë si një promovues dhe si një urë bashkëpunimi mes bizneseve shqiptare dhe atyre të Ballkanit Perëndimor, Europës dhe më gjerë. *Tibo News