
Biden paketë 430 miliardë dollarëshe për klimën dhe inflacionin
Presidenti amerikan Joe Biden miratoi të martën në paketë ekonomike prej 430 miliardë dollarësh që parashikon ndërhyrje për klimën, shëndetësinë dhe inflacionin.
Me këtë vendim qeveria federale premton heqjen e tarifave për recetat e barnave, luftë ndaj ndryshimeve klimaterike e sidomos inflacionit.
“Vendimi parashikon 369 miliardë dollarë investime për aktin më agresiv ndonjëherë kundrejt krizës klimaterike dhe forcimin e ekonomisë dhe sigurinë energjetike,” – tha Biden.
Demokratët shpresojnë të përfitojnë nga ky vendim përkrahjen qytetare në zgjedhjet afatmesme të Kongresit në nëntor. Por ka një problem, miliona amerikanë nuk kanë dëgjuar gjë për këtë paketë.
Anketat e Reuters tregojnë se në çdo 10 votues 6 prej tyre nuk kanë asnjë informacion rreth vendimeve të Presidentit Biden për të reduktuar inflacionin. Demokratët shpresojnë ta ndryshojnë këtë duke planifikuar miliona dollarë shpenzime në fushata publicitare në televizione, radio dhe internet.
Për t’u treguar votuesve punën e bërë kabineti i Biden parashikon 35 udhëtime në 23 shtete të ndryshme të SHBA-ve deri në fund të muajit gusht.
Por kjo duket një agjendë e vështirë pasi prirjet dhe perceptimet janë kundër demokratëve.
Zgjedhjet për Dhomën e Përfaqësuesve kanë qenë historikisht kundër partisë në pushtet në SHBA.
Rritja e inflacionit e ka amplifikuar gjithmonë këtë prirje dhe këtë vit inflacioni ka qenë më i larti në katër dekadat e fundit.
Parashikimet i kuotojnë republikanët me rreth 40% të votave dhe me shumë mundësi për ta rimarrë shumicën e Dhomës së Përfaqësuesve, po kështu dhe Senatin. Ata e shohin strategjinë e demokratëve “jashtë realitetit”.
Duke komentuar vendimin e fundit republikanët thonë se do të ketë shumë pak ndikim në uljen e inflacionit apo çmimeve në planin afatmesëm.
Por demokratët po i mëshojnë shumë faktit se republikanët votuan kundër paketës së tyre kundër-inflacionit dhe ndryshimeve klimaterike. Fushata elektorale duket se do t’i etiketojë ata si politikanë “pro” ndotjes.
*Tibo News