Berishës i hiqet imuniteti, Kuvendi miraton kërkesën e SPAK

U zhvillua seanca e radhës parlamentare. Kuvendi miratoi me 75 votat pro të socialistëve heqjen e imunitetit për Sali Berishën, duke vendosur kështu në favor të kërkesës së SPAK për autorizim për ashpërsimin e masës së sigurisë ndaj tij.

Seanca u zhvillua si zakonisht muaj e fundit mes kaosit pasi deputetët e PD bllokuan foltoren dhe ndezën tymuese.

Sali Berisha ndodhej në seancë kur u miratua kërkesa e SPAK. Ai nuk pranoi të fliste kur kryeparlamentarja Lindita Nikolla i dha të drejtën e fjalës. Ndërkohë deputetët e PD-së vijuan atë që e cilësojnë si mosbindje civile. Një pjesë tjetër e tyre qëndronte jashtë pasi ishin përjashtuar nga seanca.

Jashtë Kuvendit, PD zhvilloi protestë. Atje u mblodhën dhjetëra qytetarë ndërkohë që ishtengritur edhe një podium. Pas seancës parlamentare asaj iu bashkua edhe Sali Berisha. Ai e konsideroi vendimin e Kuvendit antikushtetues ndërsa i bëri thirrje degëve që të mobilizojnë anëtarësinë dhe mbështetësit e PD. Protesta u zhvillua e qetë dhe pa problematika. Policia e Shtetit kishte marrë masat e saj për të shmangur çdo incident të mundshëm.