Berisha nga dritarja: S’kam folur këto ditë prej gjendjes gripale

Gjatë fjalës së tij drejtuar demokratëve, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se nuk ka folur këto ditë që ka qenë në arrest shtëpie, për shkak të gjendjes së tij gripale. Ai madje ka theksuar se nuk do e bëjë më kurrë vaksinën e gripit e cila sipas tij është imponuar nga pushteti.

Kujtojmë se Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka vendosur urdhër Berishës që të komunikojë vetëm me bashkëjetuesit e tij.“Në orën 12:30 të datës 30 Dhjetor 2023, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka vendosur të ashpërsojë masën e sigurimit personal për Sali Berishën.

Gjyqtarja Irena Gjoka ka pranuar kërkesën e SPAK dhe vendosi masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi” me mbikëqyrje policore dhe ndalim të komunikimit me persona të tjerë”, thuhej në vendimin e GJKKO-së më 30 Dhjetor 2023.

Ish-kryeministri Berisha akuzohet si i dyshuar për korrupsion në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit Partizani.

Nën hetim për këtë dosje është dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i cili ndodhet në masë sigurie arrest shtëpie.