BE merr vendimin për vaksinat kundër lisë së majmunit

Komisioni Europian planifikon të nënshkruajë një kontratë për mbi 110 mijë doza vaksinash për të luftuar shpërthimin e lisë së majmunit.

Njoftimi u bë të martën në mëngjes nga  Komisionerja Evropiane për Shëndetin dhe Sigurinë Ushqimore Stella Kyriakides, përpara një takimi me ministrat e shëndetësisë nga vendet anëtare.

Dërgesat e para të dozave do të fillojnë në fund të qershorit në ato vende ku aktualisht ka më shumë nevojë.

Ndryshe nga vaksinat e COVID-19, të cilat u prokuruan nga Komisioni, por paguheshin individualisht nga vendet e BE-së, kontrata e lisë së majmunëve do të financohet fillimisht nga buxheti i përbashkët i BE-së.

“Kjo është hera e parë që ne po përdorim fondet e BE-së për të blerë vaksina që më pas mund t’i shpërndajmë në vendet anëtare,” bëri me dije komisionerja duke shtuar: “Kjo tregon se çfarë mund të bëjmë kur punojmë së bashku dhe fuqinë e të pasurit të strukturave në mënyrë që të mund t’i përgjigjemi menjëherë një krize siç kemi tani.”

Përhapja e vazhdueshme e lisë së majmunëve u zbulua në fillim të majit në disa vende evropiane për të arritur më pas një dimension ndërkombëtar.

Afro 1300 raste janë konfirmuar në vendet ku sëmundja nuk është endemike, sipas përditësimit të fundit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), me shumicën e përqendruar në Evropën Perëndimore.

Në vendet e BE, janë raportuar këto raste: Spanja (259 raste), Portugalia (191) dhe Gjermania (113), të cilat janë vendet ku janë regjistruar shifrat më të larta të infeksionit.

Lija e majmunëve është më pak vdekjeprurëse se lija dhe zakonisht zgjat dy deri në katër javë. Për shkak të lidhjes midis dy viruseve, vaksina kundër lisë mund t’i mbrojë njerëzit nga sëmundja e lisë së majmunit kur administrohet para ekspozimit.

Simptomat mund të shfaqen diku nga pesë deri në 21 ditë pas infektimit dhe mund të përfshijnë temperaturë, dhimbje koke, dhimbje muskulore, dhimbje shpine, të dridhura, rraskapitje dhe ënjtje të nyjeve limfatike.

Që nga fillimi i shpërthimit, disa vende evropiane, si Gjermania, Spanja dhe Danimarka, kanë njoftuar planet kombëtare për të blerë vaksina kundër lisë së majmunëve.

*Tibo News.