BE dhe Gjermania mbështesin transportin e gjelbër në Tiranë me 81.2 mln euro investime

U prezantua sot projekti “Transporti i Gjelbër Tiranë”, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të transportit publik në kryeqytetin shqiptar. Financuar nga Bashkimi Europian, Gjermania dhe Bashkia e Tiranës, ky projekt synon zhvillimin, zbatimin dhe vënien në funksionim të sistemit të parë elektrik të transportit të shpejtë të autobusëve në Tiranë, i njohur si “e-BRT”, në tre nga linjat kryesore të transportit në Tiranë: Unaza, Tirana e Re dhe Kombinat-Kinostudio.

Qëllimi i projektit nuk është vetëm të përmirësojë ofrimin e shërbimeve në transportin publik, por edhe të reduktojë emetimet e dioksidit të karbonit dhe ndotësve të tjerë, duke kontribuar kështu në objektivat e mbrojtjes së klimës dhe mjedisit. Kostoja totale e projektit prej 110.26 milionë Euro mbulohet nga financimi i BE-së nëpërmjet një granti të pakthyeshëm prej 31.09 milionë Euro (nëpërmjet Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor), një hua prej 50 milionë Euro nga Banka për Zhvillim KfW dhe 29.17 milionë Euro nga Bashkia e Tiranës.

Në prezantimin e projektit ishin të pranishëm ambasadori i BE-së Silvio Gonzato, ambasadori gjerman Karl Bergner, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe drejtoresha e Zyrës së KfW-së në Shqipëri Brit Horschke.

“Bashkimi Evropian është shumë krenar që bashkon forcat me Gjermaninë dhe bashkinë e Tiranës për të ndërtuar rrjetin e ardhshëm të një transporti elektrik me autobusë me zero emetime për Tiranën. Falë rrjetit të ri elektrik të autobusëve, sistemi i transportit publik do të jetë më i shpejtë, më i pastër, më tërheqës për qytetarët dhe për rrjedhojë do të ndihmojë në uljen e numrit të makinave në qytet. Ne vlerësojmë se projekti do të kontribuojë ndjeshëm në dekarbonizimin e qytetit dhe uljen e emetimeve të dëmshme, duke çuar në ajër më të pastër për të mirën e banorëve të Tiranës”, tha gjatë fjalës së tij ambasadori i BE-së Gonzato.

“Investimi ynë në transportin publik të pastër dhe të besueshëm thekson angazhimin e Qeverisë Federale Gjermane për të mbështetur Shqipërinë në transformimin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ky projekt investon paratë në të mirë për qytetarëve e Tiranës, të cilët do të përfitojnë drejtpërdrejt nga transporti më i shpejtë, më pak bllokime trafiku dhe një mjedis më i pastër. Kjo është ajo që do të realizojë Skuadra e Gjermanisë, së bashku me Skuadrën Evropa dhe Skuadrën e Bashkisë së Tiranës,” tha ambasadori gjerman Bergner.

“Ky projekt do të transformojë tre linja kryesore në qytet, duke i bërë shumë herë më të shpejta; pra, nga 9 dhe 9.5 km në orë do të shkojmë në 20 km/orë. Do të kemi një hov të jashtëzakonshëm për sa i përket transportit publik në Tiranë. Sot jemi në një situatë ku do të fillojmë me tre akset kryesore, brenda këtij viti: Aksi i parë është Kinostudio-Kombinat; i dyti Tirana e Re; aksi i tretë është Unaza. Nëse një xhiro e plotë në Unazë sot bëhet për 54 minuta, me linjën e re urbane do të bëhet për 27 minuta. Sigurisht, do ia vlejë më shumë autobusi se sa një makinë private për të përshkuar Unazën”, nënvizoi Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj.

Sistemi i transportit të shpejtë të autobusëve elektrikë parashikohet të rrisë shpejtësinë mesatare të autobusëve në linjat e përzgjedhura, gjë që do të përmirësojë ndjeshëm efikasitetin e transportit publik. Projekti pritet të parandalojë afërsisht 4.300 ton emetime CO2 në vit, si dhe të reduktojë emetimet e grimcave (PM) dhe oksidit të azotit me një mesatare prej 25,55 ton NOx dhe 0,18 ton PM në vit, duke kontribuar për një ajër më të pastër dhe përpjekje për mbrojtjen e klimës.

Sistemi elektrik i transportit të shpejtë të autobusëve do të zbatohet në 3 korridoret e mëposhtme:

Linja L15 – Lindje – Perëndim nga Kinostudio në Kombinat – 17 km duke marrë parasysh të dy drejtimet

L14- Unaza, vija rrethore – qendra e qytetit – Unaza e 3-të – 14 km duke marrë parasysh të dy drejtimet

L13 – Tirana e Re, vija rrethore – pjesa qendrore dhe perëndimore e qytetit – 21 km duke marrë parasysh të dy drejtimet.

Monitor