Australia gati për të ndërtuar marinën më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore

Australia ka njoftuar një plan dhjetëvjeçar për të dyfishuar flotën e saj të anijeve luftarake.

Sipas mediave të huaja, ministri i Mbrojtjes, Richard Marles tha të martën se plani i qeverisë do të rriste përfundimisht flotën luftarake sipërfaqësore të marinës në 26 nga 11.

Ai përmendi shqetësimet për rritjen e tensioneve gjeopolitike teksa konkurrenca midis Shteteve të Bashkuara, aleatëve të saj dhe Kinës “nxehet” në rajonin e Azi-Paqësor.

Marles tha se Australia do të marrë gjashtë fregata të klasit Hunter, 11 fregata me qëllime të përgjithshme, tre shkatërrues luftarakë ajror dhe gjashtë anije luftarake sipërfaqësore moderne që nuk kanë nevojë për ekuipazh.

Të paktën një pjesë e flotës do të jetë e armatosur me raketa Tomahawk të afta për sulme me rreze të gjatë mbi objektiva thellë brenda territorit të armikut – një aftësi e madhe parandaluese.

“Është flota më e madhe që do të kemi që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore”, citohet të ketë thënë Marles para gazetarëve.

Njoftimi – i cili vjen në mes të planeve australiane për të blerë të paktën tre nëndetëse bërthamore të projektuara nga SHBA – do të bënte që Canberra të rriste shpenzimet e saj të mbrojtjes në 2.4 për qind të prodhimit të brendshëm bruto (PBB), mbi objektivin prej 2 për qind të vendosur nga aleatët e saj të NATO-s.