AstraZeneca shpik ‘koktejin’ që neutralizon nënvariantet e Omicron

Zyrtarët e kompanisë AstraZeneca thonë se ‘kokteji’ që kanë krijuar me antitrupa për të parandaluar dhe trajtuar sëmundjen e Covid, është efektiv. Sipas tyre, ky koktej trajtimi ruan aktivitetin neutralizues kundër variantit Omicron të virusit, si dhe duke përfshirë nënvariantin shumë ngjitës të BA.2.

Për këtë janë realizuar dy studime të pavarura të bazuara në të dhëna laboratorike.

Të dhënat nga studimi i Universitetit të Uashingtonit treguan se terapia uli ngarkesën virale në mostrat e të gjitha nënvarianteve të testuara të Omicron në mushkëritë e minjve. Megjithatë, studimi ende nuk është rishikuar nga kolegët.

Terapia e njohur nga studiuesit britanike si Evusheld, u testua kundër nënvarianteve BA.1, BA.1.1 dhe BA.2 të Omicron. Testimi zbuloi gjithashtu se kjo terapi kufizoi nivelin e inflamacionit në mushkëri.

Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi javën e kaluar se shifrat që tregojnë për një rritje globale të rasteve me COVID-19 mund të paralajmërojnë një problem shumë më të madh, pasi variantet Omicron dhe BA.2 u përhapën mes lehtësimit të kufizimeve dhe testimeve.

Vaksinat mbështeten në një sistem imunitar të paprekur për të zhvilluar antitrupa të synuar dhe qeliza që luftojnë infeksionin, por Evusheld përmban antitrupa të prodhuar në laborator të krijuar për të qëndruar në trup për muaj të tërë për të kontrolluar virusin në rast të një infeksioni.

Rezultatet vijnë pasi Britania miratoi javën e kaluar terapinë për parandalimin e infeksioneve tek të rriturit me përgjigje të dobët imune. Evusheld është aktualisht nën rishikim të agjencive evropiane ndërsa në Shtetet e Bashkuara është autorizuar.

*Artikulli i BBC përkthyer dhe përshtatur në shqip nga Tibo News.