AlbanianEnglish

Angazhimi i qytetarëve në vendimarrje

Sfidat dhe mundësitë drejt nxitjes së kulturës së demokracisë dhe krijimit të një klime pozitive mes pushtetit vendor, shoqërisë civile dhe aktorëve të ndryshëm të të rinjve në Tiranë ishin temat kryesore që u diskutuan në aktivitetin e radhës të zhvilluar në kuadër të “Tirana Kryeqyteti Europian i Rinisë”.

Fokusi më i rëndësishëm, pjesë e një trajnimi për metodologjitë e Këshillit të Evropës ishte “Pjesëmarrja e Qytetarëve në Vendimmarrje, e kryesisht përfshirja e të rinjve”.

Pjesëmarrës ishin përfaqësues të Shoqërisë Civile dhe Pushtetit Vendor të shteteve si Gjeorgjia, Moldavia, Bosnje-Hercegovina, Ukraina dhe Shqipëria, si dhe përfaqësues nga Këshilli i Europës, apo drejtues të programeve, trajnimeve për të rinjtë si pjesë e “Tirana Kryeqyteti Europian i Rinisë”, përveç zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, si nënkryetarja Keti Luarasi e cila tha se janë adresuar çështje me rëndësi  drejt nxitjes së kulturës së demokracisë dhe krijimit të një klime pozitive midis Pushtetit Vendor dhe Shoqërisë Civile si dhe aktorëve të ndryshëm të të rinjve në Tiranë.

Cornelia Perle, përfaqësuese e Këshillit të Evropës, Strasburg tha për Tibo News se kanë filluar bashkëpunimet me organizatat e shoqërisë civile dhe se ka patur zhvillime pozitive në Shqipëri.

“Në bashkëpunojmë shumë mirë me Tiranën dhe shohim se ka shumë zhvillime interesante. Mendoj se mund të thuhet se është i njëjti nivel angazhimi me vende europiane dhe në rajon, por veçanërisht në Shqipëri ka zhvillime të rëndësishme. Dua gjithashtu të theksoj se pjesëmarrja e qytetarëve në mënyrë demokratike në vendimmarrje edhe politike po rritet edhe në vendet e tjera. Kështu që është diçka që ekspozon angazhimin e autoriteteve dhe aktivizon organizatat civile. Ka dhe rritje të interesit për zhvillim të aftësive dhe për më shumë informacion. Në këtë pikë ka interes të madh në Tiranë, nisur edhe nga fakti që Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë, është një zhvillim i shkëlqyer”.

E pyetur mbi negociatat me BE-në, Perle thotë se nuk mjafton të kesh një titull europian si në rastin e kryeqytetit Tirana, por gjithsesi e quan një fillim të shkëlqyer.

Fakti që Tirana mban titullin “Kryeqyteti Europian i Rinisë” mund të mos jete i mjaftueshëm, por gjithë këto përpjekje dhe qeveria shqiptare me punët që po bën, për qeverisje demokratike, dhe angazhimin e qytetarëve në vendimmarrja, të gjitha këto përpjekje janë të rëndësishme për të ecur drejt asaj rruge. Mendoj se është një fillim i shkëlqyer do thoja… Gjithashtu do doja të përmendja edhe disa bashkëpunime që do të kemi të ardhmen si Këshill i Europës me Shqipërinë dhe veçanërisht Tiranën”.

Një nga trajneret e projektit, Ramona Velea nga Italia këshilloi të rinjtë që të vijojnë të marrin pjesë në projekte edhe trajnime të këtij lloji, për të fuqizuar edhe rolin e tyre në vendimmarrjet politike të pushtetit vendor.

“Unë besoj se është një mundësi shumë e mirë, është një projekt shumë i bukur, shumë konstruktiv, ne morëm shumë ndihmesë nga trajnimet shqiptare, siç e dini ne i zhvilluam trajnimet edhe me delegacionet e vendeve te tjera që janë të përfshirë në këtë projekt. Është një skenë goxha aktive, është bukur të shohësh se si organizatat e shoqërive civile janë partnere me Tiranën. Dhe çfarë të them, ne shohim shume mundësi të mirë në të ardhmen dhe shpresojmë të kontribuojmë në këtë proces”.

Ndërsa Arman Beshlia nga Bosnja foli edhe për emigracionin, kryesisht të të rinjve.

“Njerëzit këtu janë shumë mikpritës. Jemi ndjerë shumë mirë. Vetë nuk kisha qenë më parë në Tiranë, qyteti është shumë i bukur, ndërsa njerëzit janë të qeshur dhe shumë miqësorë.

Për emigrimin e të rinjve nga Shqipëria kam dëgjuar në media dhe mendoj se kjo është një çështje që e has çdo shtet i Ballkanit. Kam dëgjuar që në Kosovë është situatë e ngjashme, në Mal të Zi, apo Bosnjë gjithashtu dhe mendoj se kjo ndodh nga standardi i jetës. Në Shqipëri pashë shumë të rinj me nivel të lartë edukimi që synojnë perëndimin që ua vlerëson më tepër këtë nivel se sa rajoni ynë. Po ashtu ka më shumë mundësi andej se këtu”.

Aktiviteti u mbajt edhe në kuadër të mbylljes së Shkollës së Dimrit të Këshillit të Europës për “Angazhimin qytetar në vendimmarrje”.

*Tibo News. 

You don't have permission to register