Air France dhe Airbus në gjyq 13 vite pas tragjedisë që u mori jetën 228 pasagjerëve

Ka nisur në Francë gjyqi ndaj kompanive “Air France” dhe “Airbus” në lidhje me ngjarjen e rëndë të vitit 2009 ku 228 persona humbën jetën pas rrëzimit në Atlantik të “Fluturimit 447”.

Gjyqi për “vrasje të pavullnetshme” nis 13 vite pasi avioni A330 u zhduk teksa fluturonte në linjën Rio de Zhaneiro-Paris.

Hetuesit francezë kanë zbuluar se pilotët kishin keqpërdorur humbjen e të dhënave nga bllokimi i sensorëve dhe për këtë e shtynë avionin në një rënie të lirë në det pa iu përgjigjur alarmeve të përsëritura për “bllokim”.

Autoritetet franceze kanë zbuluar gjithashtu bisedime të mëparshme mes Air France dhe Airbus në lidhje me besueshmërinë e sensorëve.

Linja ajrore kishte filluar fluturimet me një version të përmirësuar të sensorëve vetëm gjashtë ditë përpara katastrofës.

Ekspertët thonë se faktor vendimtarë për çështjen do të rezultojë zbërthimi përfundimtar i ndikimit të pilotëve dhe sensorëve në manovrat e avionit.

Prodhuesi i avionit “Airbus” fajësoi gabimin e pilotëve, por linja ajrore “Air France” ka vënë në dukje sinjalizimet dhe alarmet konfuze të sensorëve.

Është hera e parë që kompanitë përballen me gjyq për ‘vrasje të pavullnetshme’ pas një aksidenti ajror.

Familjet e viktimave kërkojnë që të nxirren të pandehur edhe drejtuesit e kompanive.

Nëse shpallen fajtor, gjoba maksimale për secilën kompani do të jetë jo më shumë se €225,000. Mediat raportojnë se shuma edhe më të mëdha janë paguar ndërkohë në marrëveshje jashtë-gjyqësore mes kompanive dhe familjarëve të viktimave.