54-vjeçari qëllohet me plumba teksa po dërgonte fëmijët në shkollë

Një atentat ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Lezhë, në fshatin Rrilë. Mësohet se një 54 vjeçar është plagosur si pasojë teksa ai po lëvizte me makinën e tij tip Audi.

Policia ka publikuar njoftimin:

“Rreth orës 08:00, në fshatin Rrilë, shtetasi A. P., 54 vjeç, banues në fshatin Rrilë, duke lëvizur me automjet, është plagosur me armë zjarri nga 1 person ende i paidentifikuar. 54-vjeçari është transportuar në spitalin rajonal të Lezhës, ku është në kujdesin e mjekëve (aktualisht jashtë rrezikut për jetën). Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimin, kanë shkuar menjëherë ne vendngjarje, është rrethuar zona dhe janë ngritur pika kontrolli. Njëkohësisht, në ndihmë të Policisë vendore, janë nisur Forcat Kombëtare të Sigurisë të Njësisë Shkodër”.

Sipas mediave, ndaj 54 vjeçarit është qëlluar disa herë në makinën e tij, teksa ky i fundit po dërgonte fëmijët në shkollë. Ngjarja ka shkaktuar frikë tek nxënësit dhe mësuesit e shkollës aty pranë.

Deri më tani nuk dihet motivi i të shtënave, teksa policia njofton se hetimet po vijojnë.

Për 54-vjeçarin Puka thuhet se punonte tek një stallë bagëtish, ndërsa nga policia bëhet me dije ai nuk ka precedent të mëparshëm penal.