
101 vjeçari në Gjermani shpallet fajtor për rolin në kampin nazist me mijëra të vdekur, ja çfarë thotë ai vetë
Një ish roje i kampit nazist të përqendrimit është dënuar me 5 vite burg pasiakuzohet për asistim në vrasjen e mijëra të burgosurve në Sachsenhausen afër Berlinit.
I identifikuar si Josef S, ai tashmë është i moshës 101 vjeç, duke e bërë atë më të vjetrin që ka dalë ndonjëherë në gjyq para një gjykate gjermane. Por edhe pse në këtë moshë, ai ka vijuar të mohojë se ka qenë roje në kampin e perqendrimit.
Gjykata e shpalli atë fajtor për ndihmë dhe nxitje në vrasjen e 3518 personave.
Ai është dënuar si bashkëpunëtor në pushkatimin e robërve sovjetikë të luftës dhe vrasjen e të tjerëve duke përdorur lëndën gaz të tipit ‘Zyklon B’.
Organi i Mbrojtjes ka kërkuar lirimin e të moshuarit dhe ka njoftuar se do të apelojë vendimin kundër dënimit me burg.
Mijëra njerëz vdiqën në Sachsenhausen gjatë Luftës së Dytë Botërore nga uria, puna e detyruar, eksperimentet mjekësore dhe vrasjet nga kampi SS. Më shumë se 200,000 njerëz u burgosën atje, duke përfshirë të burgosur politikë, si dhe hebrenj, romë dhe ciganë.
“Unë nuk e di pse jam ulur këtu në vendin e mëkatit. Unë vërtetë që nuk kam patur asnjë lidhje me të,” tha Josef S në deklaratën e tij përmbyllëse në prag të vendimit në Brandenburg an der Havel.
Gjykatësi Udo Lechtermann i tha atij se pavarësisht nga pretendimet për të kundërtën, gjykata ka gjetur dhe posedon fakte se ai ka punuar në kampin e përqendrimit për rreth tre vjet që nga viti 1942.
“Ju e mbështetët me dëshirë këtë shfarosje masive përmes okupimit tuaj,” ka deklaruar gjykatësi.
Josef S nuk është identifikuar plotësisht me emër e mbiemër në Gjermani për shkak të konventave të privatësisë. Megjithëse emri dhe detajet e lindjes së tij figuronin në dokumentet e të punësuarve në SS, ai pretendon se nuk ka qenë në kamp dhe në vend të kësaj ka punuar në fermë.
Sidoqoftë, nuk ka gjasa që ai të vuajë dënimin aktualisht pasi gjykata më e lartë e Gjermanisë së pari do të duhet të vendosë nëse do të lejojë apelimin, dhe kjo mund të zgjasë disa muaj.
*Tibo News