AlbanianEnglish

Viti i Ri, komuniteti kinez feston në Tiranë, Veliaj: “Mirënjohës që na ndihmuan për pandeminë dhe tërmetin”

Tirana e mbi 140 kombësive ka një vend të veçantë për komunitetin kinez, i cili po rritet gjithnjë e më shumë në kryeqytet. Në ceremoninë e posaçme të organizuar dje me rastin e Vitit të Ri kinez, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, solli në vëmendje marrëdhëniet mbi 70-vjeçare mes dy vendeve, të cilat përkujtohen edhe me aktivitete të shumta kulturore, ndërsa vlerësoi ndihmën e vendit mik pas tërmetit dhe gjatë pandemisë.

“Kemi bërë disa aktivitete të përbashkëta, për të cilat i jam shumë mirënjohës Ambasadës së Kinës në Tiranë. Kemi ndërtuar kënde lojërash, kemi mbjellë pemë, kemi një ‘Pagoda’ kineze në Parkun e Liqenit, por sigurisht, ata na ndihmuan edhe gjatë tërmetit dhe pandemisë; për të gjitha këto u jam shumë mirënjohës, në emër të qytetit të Tiranës dhe gjithë qytetarëve që përfituan nga këto ndihma,” u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se përtej marrëdhënieve politike e tregtare, raporti njerëzor është edhe më i rëndësishëm.

“Lidhjet me njerëzve janë më të rëndësishme, ndaj më vjen mirë që në Tiranën e mbi 140 kombësive, pjesëtarët e komuniteti kinez janë bërë ‘tironsa’ të vërtetë. Në fakt, bëjnë tifozeri më të zellshme se disa nga ne që jemi lokalë këtu, për ekipet tona të kryeqytetit. E flasin shqipen me theks ‘tirons’, janë pjesë e stofit tonë, ata që merren me tregti, kulinari, ata që punojnë në trupin diplomatik, ata që merren me aktivitete të ndryshme kulturore siç është ‘Instituti Konfuci’,” tha ai.

“Ftesa ime për të gjithë, teksa festojmë këtë vit të ri hënor ose Vitin e Ri kinez, është që secili prej nesh të gjejë një shok, mik, një bashkëpunëtor nga Kina, që nuk e njihte më përpara, dhe të nisë një miqësi sot. Do të ishte shumë bukur nëse secili prej nesh të dilte nga kjo sallë me një shoqëri të re, edhe me një mik, apo një mikeshë, me të cilën mund të krijojmë një raport që 140 kombësitë në Tiranë t’i lidhim edhe më fort,” e mbylli fjalën e tij Veliaj.

Viti i Ri kinez është një festë e rëndësishme në kulturën kineze, pasi shënon fundin e sezonit të dimrit. Viti i Ri kinez fillon ditën e parë të muajit të parë në kalendarin kinez dhe mbaron 15 ditë më vonë.

You don't have permission to register