Si do të ndikojnë sanksionet dhe lufta në ekonomi?

Prej 26 shkurtit Bashkimi Europian, Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja kanë vendosur kufizime të rrepta ndaj Rusisë. Perëndimi ka vendosur kufizime për financat, tregtinë, energjinë, transportin, teknologjinë madje edhe për udhëtimet. Pjesë e kësaj politike është bërë edhe Shqipëria.

Sanksionet dhe ndikimi i luftës në ekonomi janë çështja më e diskutuar për momentin.

Ekonomisti Endrit Yzeiraj, komentoi për Tibo News situatën duke i konsideruar sanskionet si ndër më të rreptat në histori. Ai thotë se të gjitha vendet do të kenë ndikim prej tyre, por që sidoqoftë ato nuk do të mjaftojnë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

“Sanskionet ndaj Rusisë janë ndër më të fortat të vendosura ndaj një ekonomie, […] ato ndalojnë edhe tregtinë në mallra bazike. Në një farë mënyre [sanksionet po] synojnë ta kthejnë Rusinë në atë që deri diku ishte Shqipëria përpara viteve 90-të, pra në një vend të izoluar tërësisht për nga bota, mbase siç është kohët e tanishme Koreja e Veriut,” – komentoi Yzeiraj.

Historia njeh sanksione të ashpra ndaj vende të ndryshme të botës. Baza e këtyre sanksioneve ka qenë ideologjia. Ndër më të njohurat janë sanksionet ndaj Iranit, Venezuelës, apo Kubës. Por Yzeiraj thotë se pikërisht përvoja e shkuar tregon se sanksionet nuk mjaftojnë për të rrëzuar një regjim.

“Nëse qëllimi ka qenë ndryshimi i regjimit, këto shembuj [Kuba, Venezuela, Irani], tregon se nuk është lehtësisht e arritshme […] nuk mendoj se do mjaftojnë kaq [sanksione] për të fituar luftën ndaj Rusisë, nuk besoj se ai [Putini] do të tërhiqet,” – analizoi Yzeiraj.

Energjia, hidrokarburet, industria ushqimore dhe turizmi janë sektorët kryesorë që do të ndikohen nga izolimi i Rusisë. Megjithatë Yzeiraj thotë se Europa nuk humbet shumë sidomos në energji, pasi prej vitesh po investon në diversifikimin burimeve të energjisë drejt burimeve të ripërtëritshme.

BE mund të bëjë pjesë të planeve të diversifikimin shtyrjen e mbylljeve të disa centraleve bërthamore, apo rihapjen e atyre që u mbyllën vitet e fundit. Në këtë mënyrë mund të minimizohen efektet.

Ekonomisti Yzeiraj, i njohur për analizat e tij në opinionin publik, u shpreh i bindur se efektet për BE-në mund të jenë të shkurtra, por që në planin afatgjatë Rusia nuk e ka peshën ekonomike të atillë sa të nxisë kriza të rënda.

“Kuptohet që në periudhë afatmesme do të ketë vende të tjera që do ta mbushin hendekun e naftës, si vendet e Lindjes së Mesme, Kanadaja apo SHBA-ja, […] nuk është e vështirë që për një periudhë gjashtë apo më shumë muajsh kjo të zgjidhet, por kjo do të jetë si një lloj incentive për të përshpejtuar revolucionin energjitik që Europa kishte ndërmend ta bënte për të forcuar energjinë e rinovueshme,” – vijoi Yzeiraj.

Për sa i përket Shqipërisë, sektori më i ndikuar nga Rusia është ai i industrisë ushqimore, ku gruri është produkti më në varësi për shqiptarët. Kjo ka nxitur panik te shqiptarët për rritje të çmimit të bukës.

Por Yzeiraj thotë se gruri nuk është elementi i vetëm si kosto, ai përmend transportin dhe energjinë si elementë të tjerë me ndikim. Sipas tij maksimumi i rritjes së çmimit të bukës mund të jetë me 10-20 lekë, që mund të rëndojë më tepër për shtresat në vështirësi ekonomike.

I pyetur nëse Shqipëria i ka mundësitë për të parashikuar paketa ekonomike për këto shtresa nëse lufta në Ukrainë dhe kriza ekonomike e prodhuar prej saj vazhdon gjatë, Yzeiraj thotë me keqardhje se jo. Thelbi për këtë qëndron te brishtësia e sistemit fiskal dhe ekonomik të Shqipërisë.

“Shqipëria nuk ka hapësirë fiskale për të ndërmarrë paketa të tilla, borxhi publik shqiptar ishte i lartë edhe përpara tërmetit të 26 nëntorit 2019, edhe përpara pandemisë, ne kemi arritur t’i përballojmë këto situata sepse normat e interesit për borxhet e marra kanë qenë të ulëta, por që tanimë në nivel ndërkombëtar me rritjen e inflacionit do të nxisë rritjen e interesave, që do të thotë për të njëjtën masë borxhesh do të na duhet të paguajmë më shumë interesa për t’i shlyer ato,” – analizoi Yzeiraj.

https://www.facebook.com/tibo.tv/videos/284750907126906/