
Rriten me 10% shitjet e Toyota
Toyota zgjeroi epërsinë e saj si prodhuesi më me shumë shitje i makinave në botë vitin e kaluar.
Gjigandi japonez në raportet e veta tregoi se shitjet e automjeteve të tij u rritën pak më shumë se 10%. Ky numër e vendos atë edhe më tej përpara rivalit të tij më të afërt, Volkswagen.
Toyota tha se shiti 10.5 milionë njësi në 2021, shumë më tepër se 8.9 milionë të dorëzuara nga Volkswagen në të njëjtën periudhë kohore.
Ky është një rezultat pozitiv për autoprodhuesin, në një vit ku kriza shëndetësore ndikoi ndjeshëm. Komapnitë e makinave u detyruan të shkurtojnë prodhimin për shkak të mungesës së gjysmëpërçuesve.
Megjithatë, Toyota e ka përballuar krizën e pandemisë më mirë se shumica. Kjo ndodhi kryesisht për shkak se tregu vendas i Japonisë dhe pjesë së Azisë së Largët ishte më pak i prekur se tregjet europiane.
Gjithsesi Toyota nuk ishte plotësisht në gjendje të shmangte problemet globale të zinxhirit të furnizimit. Kompania është parashikuar të humbasë objektivin e saj të prodhimit prej 9 milionë automjetesh në vitin e biznesit që përfundon më 31 mars.