Rrethimi i Mariupolit, Rusia thyen armëpushimin

Forcat ruse vazhduan të bombardojnë qytetin ukrainas të Mariupol të shtunën, pavarësisht se ranë dakord për një armëpushim vetëm disa orë më parë, duke e futur në kaos përpjekjen për evakuim masiv të civilëve.

Korridori i gjelbër i ngritur për të nxjerrë njerëzit nuk po funksiononte.

Tre orë pasi duhej të fillonte armëpushimi, në orën 09:00 (07:00 GMT), autoritetet e Mariupolit njoftuan se kishin shtyrë një evakuim masiv të planifikuar për shkak të bombardimeve të vazhdueshme.

“Ne kërkojmë nga njerëzit në Mariupol që të drejtohen për në strehë, do të ketë më shumë informacion mbi evakuimin sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në një deklaratë zyrtare në Ukrainë.

Mariupol, një qytet port me rreth 400 000 banorë, është një objektiv kryesor strategjik për Rusinë, sepse kapja e tij do të lejonte forcat separatiste të mbështetura nga Rusia në Ukrainën lindore të bashkojnë forcat me trupat në Krime, gadishulli jugor i aneksuar nga Rusia në 2014.

Rusia nuk ka komentuar mbi bombardimet e reja, por ministria e saj e mbrojtjes tha se civilët nuk kishin përdorur rrugët e arratisjes nga Mariupol dhe Volnovakha dhe akuzoi autoritetet ukrainase për pengimin e njerëzve që të largoheshin, tha media shtetërore ruse.

Familjarët e të bllokuarve në qytet thanë se kishin frikë se të dashurit e tyre nuk po merrnin ndonjë informacion të përditësuar për atë që po ndodhte.

Nënkryetari i bashkisë së Mariupolit, Serhiy Orlov, konfirmoi se armëpushimi ishte prishur pasi ka pasur vazhdimësi të bombardimeve ruse.