Pavarësisht kërcënimeve nuk do të tërhiqemi nga projekti te rruga 5 maji, thotë Veliaj

Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj shprehu të mërkurën vendosmërinë për ta çuar deri në fund projektin e ndërtimit të lagje së re “Tirana Riverside” në rrugën “5 Maji”.

Në një takim me përfaqësues të linjave ajrore që operojnë në Tiranë, Veliaj tha se ndërtimi i 11 pallateve të reja në atë zonë do të vijojë pavarësisht kërcënimeve dhe protestave. Kryetari i Bashkisë tha se ato nxiten nga persona me të shkuar kriminale.

“Bëni një kërkim në Google me fjalët ‘Vëllezërit Marku/OFL’, do të shikoni se ata që sot thanë se do të vrisnin kryetarin e bashkisë, tashmë u janë sekuestruar 5 milionë euro prona dhe 18 makina. Si ka mundësi që dikush që është kriminel i skeduar mund të kanosë këdo, përfshirë kryetarin e Bashkisë, apo forcat e policies, apo inspektorët, apo ata që janë për t’i shërbyer publikut? Koha kur laci, i forti, zaptuesi, krimineli, trafikanti bënte ligjin në këtë qytet, ka mbaruar. Nuk ekziston më”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë Tiranë këmbënguli se asgjë nuk do ta ndalojë punën e nisur për projektin që mban firmën e arkitektit Stefano Boeri dhe që pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 u rishikua për t’u dhënë hapësirë familjeve të mbetura pa strehë.

“Kush është më i forti në këtë qytet? Rrugaçi, zaptuesi, kërcënuesi, krimineli, trafikanti apo ai çuni e goca që del me dhjeta, që punon në mënyrë të ndershme?! Sa të jem unë kryetar bashkie, asnjë kompromis! I kam parë unë të gjitha, me media, edhe trafikantë droge, edhe këto portalet që vënë gjoba, duhet ecur përpara dhe duhet dhënë mesazhi që në vitin 2022, paligjshmëria, rrugaçëria, krimineli, trafikanti nuk cakton agjendën e qytetit. Agjendën e qytetit, sidomos këtë vit, do ta caktojnë të rinjtë tanë, çunat e gocat e shkëlqyer të Tiranës, që nuk i kanë borxh askujt”, u shpreh Veliaj.

Sipas Bashkisë Tiranë, banorët që preken nga ndërtimi i lagjes së re në zonën e “5 Majit” do të dëmshpërblehen 100% për pronën e tyre duke u kompensuar me hapësira ndërtimi.