
Shorti i Champions League ri-hidhet pasi caktoi përballjen Messi-Ronaldo
Shorti i UEFA-Champions League do të ri-hidhet në orën 15:00 pasi UEFA pranoi se pati një problem.
Një problem teknik anuloi çiftet e dala nga shorti i parë ku PSG i Lionel Messit qe vënë përballë Manchester United-it të Cristiano Ronaldos.
Finalja e UEFA Champions League zhvillohet më 28 maj 2022 në Shën Pjetërsburg të Rusisë.
Messi e Ronaldo do të ndesheshin për herë të parë me skuadrat e reja. Dyshja, e konsideruar më e talentuara e dhjetëvjeçarëve të fundit në futboll, ka mundur të mbajë nivele të larta pavarësisht se tashmë është mes të 30-ve. Ata janë ndeshur për herë të parë më 23 prill 2008 në një sfidë gjysmëfinaleje të UEFA-Champions League (u kualifikua Manchester United).
Prej asokohe ata janë ndeshur 35 herë me klube dhe një herë me përfaqësueset e tyre (2011). Nga këto 9 përballje janë përmbyllur në barazime, 16 ka mundur t’i fitojë Messi (22 gola), 11 Ronaldo (21 gola).
Rivaliteti i tyre i jashtëzakonshëm sportiv u krijua në kohën kur luanin me Barcelonën dhe Realin e Madridit. Për herë të fundit u përballën vitin e shkuar kur Ronaldo luante me Juventusin dhe Messi me Barcelonën. Portugezi realizoi dy gola.
Shorti i parë i hedhur në Nyon të Zvicrës sot rezultoi me këto përballje:
- Benfica – Real Madrid
- Villarreal – Manchester City
- Atletico Madrid – Bayern Munich
- Salzburg – Liverpool
- Inter – Ajax
- Sporting – Juventus
- Chelsea – Lille
- PSG – Manchester United
Vendosja përballë PSG-së Manchester United-in nxiti mjaft reagime në rrjetet sociale. UEFA tha se pati një problem teknik në lidhje me vendosjen në një vazo të dy skuadrave që nuk duhej të ndesheshin me njëra tjetrën në fazën tjetër (Manchester United, Atletico Madrid).
Shorti i dytë caktoi këto përballje:
- Paris SG – Real Madrid
- Sporting – Manchester City
- Inter – Liverpool
- Salzburg – Bayern Munich
- Chelsea – Lille
- Villarreal – Juventus
- Atl. Madrid – Manchester Utd
- Benfica – Ajax
*Lajmi i përditësuar pas zhvillimeve të fundit.