
“Lufta” e ndërsjellë politike në Malin e Zi
Një vit e gjysmë pas fitores së opozitës në Malin e Zi, që përmbysi pushtetin prej 3 dekadash të Milo Gjukanoviç, fituesit e zgjedhjeve janë në luftë të ndërsjellë politike. Qeveria është në prag të shkarkimit dhe kërkesat për zgjedhje të parakohshme parlamentare po bëhen gjithnjë e më të forta.
Kriza disa-muajshe e pushtetit mes Kuvendit e Qeverisë e po ashtu edhe brenda vetë Qeverisë, ka rezultuar me kërkesat për shkarkimin e krerëve të lartë të pushtetit në Mal të Zi.
Nëse Qeveria e Krivokapiç shkarkohet, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, do t’i japë mandatin për formimin e Qeverisë së re një grupi politik, i cili është në gjendje të sigurojë 41 vota mbështetëse në Kuvend.
Zdravko Krivokapiç është kryeministër, Dritan Abazoviç zëvendëskryeministër, ndërsa Aleksa Beçiç kryetar i Kuvendit.
Abazoviç po kërkon shkarkimin e Qeverisë dhe të kryeministrit Krivokapiç. Kryeministri Krivokapiç kërkon shkarkimin e Abazoviç. Opozita kërkon shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Beçiç.
Partnerët aktualë në pushtet, Fronti Demokratik dhe Demokratët, preferojnë një qeveri teknike që do të organizonte zgjedhjet. Mocionet pritet të nisin nga 3 shkurti.