
Jeta e Zelensky-t: Nga student i Juridikut tek njohja me Olenën dhe presidenca në kohë lufte!
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është kthyer në imazhin e mbrojtjes së vendit të tij kundër agresionit rus. Gjatë gjithë konfliktit, ai ka kërkuar të qetësojë njerëzit e tij duke ofruar përditësime me video të stilit selfie në Ukrainë dhe madje duke përcjellë mesazhe inkurajimi gjatë këtyre momenteve të vështira. “Bota e pa: ukrainasit janë të fortë,” deklaroi ai të premten pas ditës së dytë të sulmeve ruse, duke shtuar: “Ukrainasit janë të guximshëm. Ukrainasit janë në tokën e tyre amtare dhe ata nuk do t’ia japin kurrë, askujt”.
Pavarësisht se shfaqet i qetë dhe i fortë, Zelensky në fakt mund të jetë në rrezik. Vetë ai dhe familja e tij janë objektivat kryesorë të Rusisë.
Ndërsa protestat kundër luftës në mbarë botën u shfaqën në shumë qytete të mëdha, ai është kthyer në simbolin e rezistencës kundër presidentit rus Vladimir Putin. Por para se të hynte në politikë, Zelensky ishte mësuar të ishte në qendër të vëmendjes. Qytetarët e Ukrainës e shihnin nga televizori i shtëpisë.
Zelensky ka qenë aktor dhe komedian i njohur para se të drejtonte vendin me 44 milionë banorë. Ai njihej për rolin e tij në komedinë televizive “Shërbëtori i Popullit”, ku luajti rolin e një mësuesi që befasisht u bë president, pasi u kthye në virale një video teksa ai ironizonte qeverinë dhe kthente në humor çështjet korruptive qeveritare.
Me këtë qasje ai kandidoi për postin e presidentit, emrin e shfaqjes ia vendosi partisë, dhe zgjedhjet e nxorrën fitues, me mundjen e ish presidentit ukrainas Petro Poroshenko në vitin 2019, ku mori më shumë se 70 % të votave. Më shumë se një dekadë përpara se të bëhej president, Zelensky fitoi sezonin e parë të show-t ukrainas “Dancing with the Stars” në vitin 2006. Një klip me kërcimet e tij në këtë show u bënë virale gjatë fundjavës.
Zelensky 44-vjeç, baba i dy fëmijëve u rrit në Kryvyi Rih, që ndodhet në Ukrainën juglindore. Presidenti i kohës së luftës flet rrjedhshëm rusisht. Ai ka origjinë hebre dhe anëtarë të familjes së tij kanë vdekur gjatë Holokaustit. Gjyshi i tij luftoi në ushtrinë sovjetike kundër Gjermanisë naziste.
Presidenti rus Vladimir Putin dhe ndihmësit e tij kanë akuzuar qeverinë ukrainase si “neo-naziste”, gjë që disa besojnë se ishte një mënyrë për Putinin për të justifikuar sulmet e tij ndaj vendit.
Zelensky ka hedhur disa herë poshtë këto pretendime dhe nuk ka ngurruar të dalë edhe në deklarata publike, përballë pajisjes me të cilën është i familjarizuar: Kamerat, apo telefonit!
“Ukraina në lajmet tuaja dhe Ukraina në jetën reale janë dy vende krejtësisht të ndryshme – dhe ndryshimi kryesor midis tyre është: i yni është i vërtetë. Ju thoni se jemi nazistë. Por a mundet një popull që humbi më shumë se 8 milionë jetë në betejë kundër nazizmit mbështesin nazizmin. Si mund të jem nazist? Shpjegojani gjyshit tim këtë, i cili kaloi gjithë luftën në këmbësorinë e ushtrisë sovjetike dhe vdiq si kolonel në një Ukrainë të pavarur,” tha ai.
Zelensky me bashkëshorten Olena u martua në shtator të vitit 2003, përpara se të fillonte karriera politike e Zelensky. Ai harroi të informonte gruan e tij për vendimin e tij për të kandiduar për president. Olena Zelenska mësoi për kandidaturën e burrit të saj në mediat sociale.
Në fillim Olena nuk ishte shumë e lumtur për kandidimin e bashkëshortit për president: “E dija dhe e kuptova se gjithçka do të ndryshonte, si dhe problemet me të cilat do të përballeshim”.
Megjithatë, Zelenska është përshtatur me rolin e zonjës së parë, duke mbështetur kauzat duke përfshirë Paraolimpiadën, ushqimin e fëmijëve dhe luftën kundër dhunës në familje.
Olena Zelenska, 44 vjeçe u rrit në qytetin qendror të Ukrainës, Kryvyi Rih, në të njëjtin qytet si Volodymyr Zelensky. Ata u njohën teksa ndodheshin në shkollë të lartë, Olena studionte arkitekturë, ndërsa Volodymyr për juridik. Megjithatë karrirën e ngritën tek arti. Volodymyr u angazhua me një kompani produksioni, Studion Kvartal 95, ku Zelenska u bë skenariste.
Për arsye sigurie, vendndodhja e Olenës dhe fëmijëve të saj nuk është bërë ende publike, megjithëse sipas presidentit, ato ndodhen në Ukrainë dhe nuk janë larguar. Olena Zelenska ka përdorur rrjetet sociale për të shpërndarë mesazhe inkurajuese për popullin ukrainas.
Ndërsa sulmet kundër Ukrainës vazhdojnë, Volodymyr Zelensky i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të shqyrtojë urgjentisht pranimin e vendit të tij si anëtar të bllokut të hënën. Por a do gjejë dakordësinë blloku për ta pranuar? Apo edhe në këto kushte, siç ka deklaruar presidenti francez Emmanuel Macron: BE-së i duhet të reformohet njëherë vetë! Po bisedimet në kufirin bjellorus?