ISHP tregon qytetin me incidencën më të lartë të të prekurve nga gripi dhe viroza të tjera

Gjirokastra është qyteti me incidencën më të lartë të të prekurve nga gripi dhe infeksionet e tjera respiratorë, me afro 100 raste për 10 mijë banorë. Këtë ka treguar ISHP duke iu referuar situatës së gripit dhe virozëve që po qarkullojnë aktualisht  në Shqipëri.

Sipas ISHP-së vendin pas Gjirokastrës e zë Gramshi, Fieri, Durrësi, Tirana, Mati, Vlora dhe Berat“Qendrat e mëdha, Tirana, Vlora, Shkodra, Durrësi, Elbasani janë qytetet që raportojnë shtim të virozave respiratore. Numrin më të lartë e mban Gjirokastra. Nuk e kemi arritur pikun, dy-tre javët në vijim me problematike”.

Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Shëndetit Publik, numri i infeksioneve respiratore ka arritur në 15 mijë raste në jave, 1 mijë raste më shumë krahasuar nga një javë më parë.

Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se gripi ka një dominim në krahasim me Covid-19.

“Jemi në një fazë me qarkullim të dendur të infeksioneve virale. Ka kaluar mbi 15 mijë infeksione në javë të raportuara. Kemi disa infeksione njëkohësisht, ka dominim  të gripit A H1 që është më agresiv se A H3, është më problematik të kalimit të infeksionit në individë të veçantë”.

Mjekët kanë bërë thirrje që të prekurit të kontaktojnë mjekun e familjes si dhe të shmangin përdorimin e medikamenteve në mënyrë abuzive. Ndërsa theksojnë thirrjen për të bërë vaksinën antigrip.

Deri tani raportohet se nga 260 mijë vaksina në dispozicion, 210 mijë qytetarë janë vaksinuar për të shmangur komplikacionet e rënda nga gripi apo edhe rastet më fatale.