Historia e Rivaldos, nga favelat në majat e futbollit botëror

Ishte fillimi i vitit 1992. Në periferi të një rajoni verilindor të Brazilit, një djalosh priste të zhvillonte intervistën e tij të parë në jetë me një televizion.

Shtatlartë, por tmerrësisht i dobët, nuk dukej aspak si futbollist. Fanella që kishte veshur i rrinte e madhe megjithëse ishte numri më i vogël që i kishte dhënë ekipi i Santa Cruz.

Fytyrës së imët i kishin dalë mollëzat, rezultat i humbjes së pjesës më të madhe të dhëmbëve prej kequshqyerjes.

Një ditë më parë, në debutim me Santa Cruz, kishte spikatur duke realizuar një gol dhe gazetari i një televizioni lokal dëshironte të fliste për ambiciet e karrierës së tij.

“Ëndrra ime është realizuar tashmë, të luaj për Santa Cruzin! Shpresoj të arrij më shumë dhe të kthehem në idhull për tifozët,” – tha me modesti 18-vjeçari.

Ky djalosh ishte Rivaldo Vítor Borba Ferreira, i cili vitin e ardhshëm mbush 50 vjeç dhe në karrierën si futbollist realizoi shumë më tepër se sa ëndërronte.

Rreth 10 vite pas asaj interviste Rivaldo fitoi Topin e Artë, u shpall “Lojtari i Vitit” nga FIFA, shënoi tripletën më të magjishme të të gjitha kohërave me Barcelonën, fitoi Kupën e Botës me Brazilin e më tej trofeun UEFA Champions League me Milanin.

“Ëndërro gjëra të mëdha edhe kur rrethanat nuk t’i mundësojnë!” – një gjë e tillë mund të thuhet nga jeta e Rivaldos.

I rritur në periferinë e varfër të Paulistës, një zonë e rajonit Recife në verilindje të Brazilit, fëmijëria ishte jashtëzakonisht e vështirë për Rivaldon.

“Të duhet të jetosh në varfëri që ta kuptosh mirë se çfarë do të thotë vërtetë varfëri… në Paulista ishte e vështirë të ëndërroje,” – shprehej braziliani në një intervistë për “El Grafico” në vitin 1999.

Djali i tretë i një familjeje me 5 fëmijë, Rivaldo u rrit në favelat e Paulistës, një nga ato zonat që nuk dilte kurrë në media pasi “ndoste imazhin turistik të Recifes”.

Në fëmijëri ndihmonte prindërit duke punuar si kopshtar apo shitës akulloresh e çamçakëzësh në plazh. Gjatë ditëve të ndeshjeve më pas, qëndronte jashtë stadiumit “Estadio do Arruda” për të ndjekur skuadrën e zemrës, Santa Cruz-in.

Ish-mësuesit e përshkruajnë si djalë të turpshëm, të urtë dhe që e kishte me frikë të lexonte me zë, por që sillej më mirë se dy vëllezërit e tij më të mëdhenj. Parapëlqente të luante çdo ditë futboll. Këmbëzbathur adhuronte Zicon dhe Maradonën.

Shokët e kujtojnë gjithmonë për aftësitë që kishte me topin pavarësisht se kishte fizik shumë të dobët.

Ishte 13 vjeç kur i ati, Romildo, i dhuroi këpucët e para të futbollit. Tre vite më vonë e regjistroi për një provë te klubi i Santa Cruz, por dy javë përpara provës i ati humbi jetën pas një aksidenti me autobus.

Të kapluar nga kjo tragjedi, Rivaldo ishte gati të linte gjithçka për t’i dalë krah familjes, por e ëma, Marlucia ndikoi shumë te ai që të vijonte ëndrrën që kishte.

“Babai yt do të bënte çmos të të shihte futbollist profesionist, kështu që forca vijo drejt kësaj rruge,” – kujton të ëmën Rivaldo në një intervistë për Marca në vitin 2000.

Por rruga për t’u bërë futbollist nuk ishte e lehtë për Rivaldon. Klubi i Santa Cruz i kishte fushat e stërvitjes 15 kilometra larg shtëpisë së tij në Paulista. Pa mundësi ekonomike, Rivaldo detyrohej ta bënte në këmbë çdo ditë. Vajtje-ardhje për 30 kilometra.

Pavarësisht përpjekjes dërrmuese, ai nuk gjeti përkrahje në ekipin e moshave. I paragjykuar nga pamja – shtatlartë, i dobët, i veshur keq dhe shumë i mbyllur si tip – për disa vite do të vuante të gjente vetveten.

Debutimi me skuadrën e parë të Santa Cruz nuk ndodhi në momentin më të mirë. Ekipi pësoi disa rezultate negative dhe Rivaldo ishte një nga lojtarët që u bënë “kokë turku”. Ai iu lëshua klubit Mogi Mirim nga Sao Paulo në një operacion që ish-Presidenti Joao Caixeiro e konsideron “më të keqin në historinë e klubit”.

Katër vitet që pasuan Rivaldo fitoi pothuajse gjithçka në Brazil me klube si Mogi Mirim, Corinthians dhe Palmeiras duke shënuar 85 gola në 152 ndeshje. Sidoqoftë ai nuk gëzonte aq mbështetje nga tifozët dhe trajnerët e kombëtares.

Në vitin 1994 trajneri Carlos Alberto Parreira e la jashtë përfaqësueses që shkoi dhe fitoi Kupën e Botës. Ai e konsideroi Rivaldon si “tejet egoist” dhe “i pabesueshëm në fushë”.

Në vitin 1996 u grumbullua me ekipin që shkoi në Lojërat Olimpike të Atlantas, por vuajti një mori kritikash për atë që mbetet ndeshja më e vështirë në karrierë – Brazili u eliminua nga Nigeria që e përmbysi nga 3-1 në 3-4.

“Kam kujtim të hidhur nga ajo ndeshje, por më nxiti të gjeja motivimin e duhur për t’u treguar të gjithëve se kritikat e bëra ndaj meje ishin të padrejta,” – do të shprehej Rivaldo vite më vonë.

Në këtë periudhë Parma në Itali u angazhua ta merrte në Serie-A, por operacioni me Palmeiras u prish në momentin e fundit dhe Rivaldo përfundoi te Deportivo La Coruna në Spanjë, atje ku 7 mijë tifozë rendën ta prisnin si zëvendësues të patriotit të tij Bebeto.

Te La Coruna Rivaldo qëndroi vetëm 1 vit, por aq mjaftoi për të shkëlqyer me goditje topi “si pushkë”, gola dhe numra loje të përkryer – 22 gola në 46 ndeshje. Por kur ai pyeste të shtëpisë në Paulista nëse e shihnin, ata thoshin që jo pasi “televizionet braziliane japin vetëm Barcelonën ose Realin e Madridit”.

Kaq duhej që Rivaldo të kishte në mendje vetëm “Po!” çfarëdolloj oferte që do vinte nga këto klube dhe e para që erdhi ishte nga Barcelona – 23 milionë euro transferim.

Te katalanët Rivaldo vulosi periudhën më të mirë në karrierë. Kapitulli në fjalë është folklor futbolli. Në periudhën 1997-2002, ai djaloshi që u shkarkua nga klubi i fëmijërisë sepse ishte “shumë i dobët” do të dominonte futbollin evropian dhe atë botëror me veprime fantastike në fushë, gola të magjishëm dhe sjellje shembullore si futbollist.

Në Camp Nou realizoi 130 gola duke fituar dy herë kampionatin dhe Kupën e Mbretit. Në vitin 1999 fitoi Topin e Artë dhe mori vlerësimin FIFA si “Lojtari i vitit”. Në vitin 2001 realizoi tripletën e magjishme ndaj Valencias, ku një prej tre golave u realizua nga jashtë zone me një “roveshatë” të plotë.

Një vit më vonë Luiz Felipe Scolari e përfshiu në përfaqësuesen braziliane që shkoi dhe fitoi botërorin në Japoni e Kore të Jugut. Tjetër moment fantastik për karrierën e Rivaldos.

“Njerëzit harrojnë anën taktike të një skuadre, përgjithësisht fiksohen te golat, apo ndonjë lojë e bukur, por Rivaldo ishte lojtari më i mirë që kisha,” – është shprehur Scolari.

Pas botërorit Rivaldo, tashmë 30-vjeçar, kaloi te Milani, ku atë sezon mundi të fitojë Kupën dhe Super-Kupën e Italisë, si dhe trofeun e magjishëm të UEFA Champions League.

Vijoi të luajë edhe për 12 vite të tjera duke provuar eksperienca në Greqi (AEK, Olympiacos), Uzbekistan (Bunyodkor) e Angola (Kabuscorp). Luajti gjithashtu në Brazil me klube si Cruzeiro, Sao Paulo, Sao Caetano dhe në fund për ish-klubin e tij Mogi Mirim.

Në sezonin e fundit 2014-15, kur ishte 43 vjeç, shënoi një nga momentet më të paarritshme në futboll ku bashkë me djalin, Rivaldinho (asokohe 20 vjeç) mundën të realizonin të dy gola si futbollistë të Mogi Mirim në kategorinë e dytë.

Në fakt në vitin 2008 Rivaldo e pati blerë ish-klubin e tij Mogi Mirim. Por e shkuara me kontraste nga tifozët u kthye pas kur Rivaldo ndryshoi emrin e stadiumit dhe fushës stërvitore. Pas angazhimit të familjes në pjesën menaxheriale tifozët qenë shprehur hapur kundër duke bojkotuar skuadrën.

Në vitin 2015 Rivaldo u tërhoq nga presidenca duke e rishitur – për 2 milionë euro – klubin.

Sot ai jeton në SHBA dhe konsiderohet i padëshiruar në Mogi. Sidoqoftë ai kthehet shpesh në Recife dhe Paulista ku kujton fëmijërinë e vështirë. Ndihet keq që pak gjëra kanë ndryshuar atje, për këtë mundohet të ndihmojë fëmijët me projekte sportive në mënyrë që ata të kenë një arsye për të ëndërruar.

“Si fëmijë i varfër, ideja që një ditë të konsiderohesha futbollisti më i mirë në botë, apo të fitoja me Brazilin botëror… ishte e paimagjinueshme në një vend si Paulista, ku ëndrra ime ishte thjesht të luaja për Santa Cruz-in, aq më mjaftonte,” – thotë Rivaldo.

*Përkthyer dhe përshtatur prej “BBC Sport Insight” nga Erblin Vukaj.