
Flamuri shqiptar zë vend në selinë e OKB-së
Flamuri shqiptar u vendos të martën në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, si anëtare e përkohshme në Këshillin e Sigurimit.
Flamuri u vendos nga Ferit Hoxha, i cili është përfaqësues i Shqipërisë në OKB. Ai tha se Shqipëria është e vendosur të luajë një rol aktiv duke përcjellë vlerat dhe parimet e saj në punën e Këshillit.
“Shqipëria do të bashkojë përpjekjet me të gjithë ata që synojnë ta bëjnë Këshillin më efikas, më të përgjegjshëm, më transparent dhe më ndërveprues. Shqipëria beson në multilateralizmin, të drejtën ndërkombëtare dhe në një sistem shumëpalësh të fortë të bazuar në rregulla dhe vlera, si gurthemeli i sigurisë botërore.
Ne vijmë këtu me besimin dhe vendosmërinë e fortë se Këshilli duhet të bëjë më shumë; të ndërmarrë veprime më të forta dhe të mbështesë ata në nevojë në çdo cep të botës”, tha ambasadori Hoxha gjatë fjalës së tij.
Shqipëria është zgjedhur për herë të parë anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për periudhën kohore 2022-2023.
Ajo do të jetë një nga 15 shtetet e instancës së OKB për menaxhimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
Krahas flamurit shqiptar iu bashkangjitën edhe Gana, Gaboni, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Brazili si anëtarë të rinj.