Diskriminimi në kufirin e Ukrainës, kush ikën nga lufta?

Agjencia e OKB-së për refugjatët ka thënë se ka folur me vendet në kufi me Ukrainën pas raportimeve se qytetarëve afrikanë që ikin nga konflikti u është mohuar lëvizja.

Mijëra afrikanë dhe shtetas të tjerë të huaj, veçanërisht studentë, janë përpjekur të largohen nga Ukraina pas pushtimit të Rusisë.

Në rrjetet sociale kanë qarkulluar disa video dhe dëshmi, të cilat ankohen për diskriminim në pikat kufitare dhe stacionet e trenit.

Buchizya Mseteka, zëdhënëse e UNHCR-së me bazë në Afrikën e Jugut ka thënë në një deklaratë se agjencia e di mirë situatën.

“UNHCR është e vetëdijshme dhe është shumë e shqetësuar për raportet e profilizimit racor, ne kemi marrë shumë raportime të tilla. Jemi në ndjekje dhe aty ku është e mundur kemi bërë ndërhyrje”, është shprehur ajo.

Mseteka tha se kishte raporte, të cilat agjencia nuk i ka verifikuar – për afrikanët që u ndaluan të hipnin në trenat që po çonin njerëzit në vendet fqinje dhe të tjerëve që u mohohej qasja për të kaluar kufijtë.

“Pozicioni ynë në UNHCR është se pavarësisht nga kombësia dhe raca, njerëzit që kërkojnë mbrojtje duhet të lejohen të kërkojnë siguri dhe të largohen nga vendi.”

‘Unioni Afrikan’ ka thënë gjithashtu se ishte “i shqetësuar” nga raportet për trajtimin e afrikanëve që ikin nga lufta që po shkakton Rusia.

Ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës tha në një postim në Twitter se afrikanët që kërkojnë evakuim duhet të kenë mundësi të barabarta dhe se vendi i tij do t’i ndihmojë.

Ndërsa kancelaria e Polonisë tha në Twitter se Polonia ofron strehim për të gjithë ata që po ikin nga agresioni rus kundër Ukrainës “pavarësisht nga kombësia dhe përkatësia e tyre etnike”.