Zyrtarët amerikanë: Është koha për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe

Në një tekst autorial nga Derek Chollet, Këshilltar i Departamentit amerikan të Shtetit dhe Gabriel Escobar, i dërguar i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, kanë bërë thirrje përsëri për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Chollet dhe Escobar kanë thënë gjithashtu se ndër qëllimet më të rëndësishme të Amerikës në Ballkanin Perëndimor është që të ndihmojnë në krijimin e kushteve “për marrëdhënie të shëndetshme, paqësore dhe të qëndrueshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”. Por zyrtarët amerikanë thonë se ndër detyrat më kritike mbetet zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin. Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, kanë nënshkruar më 2013 marrëveshjen për formimin e asociacionit.

Më 2015 është nënshkruar një marrëveshje tjetër, për siç është thënë, parimet e këtij asociacioni. Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën, por që nenet mund të harmonizohen. Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik. Chollet dhe Escobar thonë se ka pasur shumë diskutime për Asociacionin, por tani sipas tyre, dhe ka ardhur koha të tregohet qartë se çka është ky Asociacion e çka jo.