
Zvërneci, gjerdani i peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë
Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë, është një nga zonat më të mëdha të Shqipërisë jugperëndimore që ofron pafund mundësi për turizëm.
Ajo bën bashkë bukuri të rralla natyrore si laguna, pyje dhe plazhe të paprekura.
Kjo zonë ndodhet në veri-perëndim të qytetit të Vlorës, rreth 14 km larg dhe ka një sipërfaqe prej rreth 42 kilometrash katrorë.
Nga kjo zonë spikat Zvërneci, me ishullin e vogël me sipërfaqe rreth 8 hektarë mbushur me pemë të larta. E veçanta e këtij ishulli është se në të gjendet një vend i shenjtë, kisha “Fjetja e HyjLindës Mari” e ndërtuar në shekullin e XII-XIV.
Megjithatë, hamendësohet se kisha të jetë ndërtuar shumë më para kësaj periudhe. Gjetje arkivore në Kostandinopojë dhe Vatikan lënë shteg për të menduar se ky objekt kulti të ketë qenë edhe më përpara, mes shekullit VII apo IX.
Kisha është e stilit bizantin në formë kryqi me kupolë. Ikonostasi i saj nuk është origjinal, por është sjellë nga Voskopoja pasi origjinali është djegur.
Koha dhe lagështia ka bërë që kisha të mos ketë të gjithë afresket e muralet, të cilët janë dëmtuar ndër vite.
Ndërsa gjatë regjimit komunist kjo kishë ka shërbyer si kamp internimi për të burgosurit politikë.
Laguna e Nartës është e dyta më e madhja për nga numri i shpendëve që ndodhen në të dhe ka një shumëllojshmëri të tyre duke filluar nga dallëndyshja e detit, çafkat, por edhe simbolin e lagunës flamingot.
Flamingot, klasifikohen si shpendë me karakteristika të rralla. Në të shumtën e rasteve ata shihen të grupuar në hapësira të cekëta uji dhe mblidhen si një grup baleti.
Ekspertët thonë se flamingot nuk e ndërtojnë folenë në lagunën e Nartës, pasi nuk ofron kushtet e përshtatshme duke qenë se ato i ndërtojnë foletë pranë ujit dhe kur ngrihet niveli nga baticat ato dëmtohen.
Për këtë arsye, biologë dhe grupe mjedisore po punojnë prej kohësh projekte se si të ndërhyjnë që folezimi i tyre të jetë i suksesshëm në të ardhmen.
Nga kjo zonë mundësohet kundrimi i zogjve me pika vrojtimi në distancë, ku vitet e fundit po mundësohet ndjeshëm për turistët.
*Tibo News.