Zjarret në Finiq e Dropull. Dy avionë “Canadair” nisin ndërhyrjen nga ajri

Situata në Dropull dhe Finiq për shkak të zjarreve duket se është përmirësuar. Dy avionë të tipit ‘Canadair’ kanë ndërhyrë nga ajri për fikjen e flakëve.

Lajmin e ka bërë me dije ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili thotë se avionët grekë kanë ardhur si mbështetje për Shqipërinë përmes Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile dhe i bashkohen përpjekjeve të Forcave të Armatosura.

Ministri Peleshi ka shprehur falënderime për Greqinë dhe Kroacinë, të cilat kanë shprehur gatishmërinë dhe kanë ofruar ndihmën e tyre për të punuar në fikjen e vatrave të zjarrit në Finiq dhe Dropull.

Postimi i Niko Peleshit në Facebook:

“Dy avionë të tipit #Canadair sapo nisën ndërhyrjen nga ajri për fikjen e flakëve në #Dropull dhe #Finiq. Avionët grekë, vijnë si mbështetje për Shqipërinë përmes Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile dhe i bashkohen përpjekjeve të Forcave tona të Armatosura, zjarrfikësve, punonjësve të emergjencave civile dhe strukturave vendore që prej 2 ditësh po luftojnë me flakët atje. Mirënjohje për gatishmërinë e treguar për të sjellë mjete ajrore edhe qeverisë italiane dhe asaj kroate”.