
Zjarret në Evropë, nxehtësia shkakton 1000 viktima vetëm në Portugali
Ndërsa temperaturat rriten në të gjithë Evropën, zjarret masive kanë shpërthyer në të gjithë kontinentin, në Spanjë, Greqi, Francë, Itali dhe Britani. Të gjitha vendet po luftojnë me flakët, ndërsa Portugalia raporton më shumë se 1000 vdekje nga të nxehtit.
Zjarrfikësit në Francën jugperëndimore të martën luftuan për të frenuar zjarrin më të madh në rajon në mbi 30 vjet. Autoritetet thanë se një burrë ishte arrestuar nën dyshimin për zjarrvënie.
Zjarret janë përhapur në rreth 195 km2 në fshatin përreth Bordo-s gjatë javës së kaluar, duke detyruar më shumë se 30,000 njerëz të evakuohen.
Në Greqi, erërat e forta nxitën një zjarr në afërsi të shtëpive në periferi të Athinës, duke bërë që autoritetet të evakuojnë disa zona.
Zjarret përfshinë edhe fshatin Wennington në Londër, duke shkatërruar shumë shtëpi ndërsa temperaturat në Mbretërinë e Bashkuar arritën nivelet më të larta të regjistruara ndonjëherë.
Me ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njerëzit që shkaktojnë thatësira, numri i zjarreve ekstreme pritet të rritet me 30% brenda 28 viteve të ardhshme, sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara të shkurtit 2022.
Ndikimi shëndetësor i valës së të nxehtit ka qenë në fokus, me kujdes të veçantë për të moshuarit dhe të pambrojturit.
Kreu i autoritetit shëndetësor të Portugalisë tha se 1,063 vdekje për shkak të valës së të nxehtit u regjistruan nga 7 deri më 18 korrik.
Carlos Antunes, një studiues në fakultetin e Shkencave të Universitetit të Lisbonës, tha se të dhënat treguan se të moshuarit kanë më shumë rrezik për shkak të valëve të të nxehtit.
“Me ndryshimin e klimës, pritet që kjo rritje e vdekshmërisë të intensifikohet dhe për këtë arsye duhet të marrim masa në nivelin e shëndetit publik për të minimizuar ndikimin”.