Zjarr në Urgjencën e re në QSUT, policia jep info: Nuk ka të lënduar

Bodrumi i Urgjencës së re në Spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë është përfshirë nga zjarri .

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e kësaj të diele rreth orës 05:30 në katin -1 të ndërtesës. Në vendin e ngjarjes raportohet të ketë shkuar policia ku bashkë me forcat zjarrfikëse kanë bërë evakuimin e stafit mjekësor si dhe pacientëve.

Policia bën me dije se fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar. Zjarri është fikur nga forcat zjarrfikësve dhe tashmë ka nisur puna për të zbuluar rrethanat e kësaj ngjarje.

Priten detaje të tjera nga ngjarja, ndërkohë policia ka dhënë informacion paraprak:

“Më datë 11.02.2024, rreth orës 05:30, në Rrugën e Dibrës, dyshohet se si pasojë e një shkëndije, ka rënë zjarr në katin -1, te urgjenca e re. Shërbimet e Policisë në bashkëpunim me forcat zjarrfikëse, menjëherë kanë bërë evakuimin e stafit mjekësor dhe pacientëve. Zjarri është fikur dhe si pasojë e tij nuk ka persona të dëmtuar. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, njoftoi policia.

Më herët u raportua se ngjarja ndodhi në zonën ku ndodhen bateritë e serverave, por edhe kjo mbetet e paqartë.

Në lidhje me ngjarjen reagoi edhe spitali universitar “Nënë Tereza”  ku informon se gjithçka është nën kontroll dhe pacientët janë të gjithë të akomoduar në godina të sigurta, ku janë shërbimet e tjera të urgjencës.

“Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme në katin -1 të godinës së QSUT është raportuar tym. Menjëherë janë marrë masat për sigurimin e pacientëve të shtruar dhe situata u vu nën kontroll në një kohë rekord dhe shkaqet e tymit po hetohen. Situata është në monitorim të vazhdueshëm dhe pacientët janë të gjithë jashtë rrezikut për jetën, falë angazhimit të personelit mjekësor dhe atij zjarrfikës. Çdo gjë është nën kontroll dhe gjendja paraqitet e qetë”.

Urgjenca e re polivalente në QSUT u inaugurua dhe u hap për funksion në muahin prill të vitit 2023.