Zhvlerësimi i kriptovalutave frenon programin e armatimit të Koresë së Veriut

Zhvlerësimi i kriptovalutave u ka hequr nga duart miliona dollarë hakerëve koreano-veriorë, të cilët vitet e fundit janë njohur për vjedhjet e shumta në paratë digjitale.

Kjo është raportuar nga hulumtues të ndryshëm, të cilët i bazojnë raportimet te burime nga programi i elektronikës dhe armëve në Pyongyang. Ata thonë se vitet e fundit vjedhja e kriptovalutave qe kthyer në burimin kryesor të programit të armëve.

Koreja e Veriut është një nga vendet më të izoluara financiarisht në botë. Për shkak të qasjes agresive ndaj Koresë së Jugut dhe programit të saj bërthamor, vende të ndryshme të Perëndimit i kanë vendosur asaj sanksione të majme.

Por Pyongyangu ka gjetur një alternativë për t’i shmangur sanksionet, dhe kjo ka qenë hakerimi i parave digjitale. Vjedhja e kriptovalutave qe kthyer në një shqetësim serioz vitet e fundit.

Hakerë nga Koreja e Veriut dyshohet të jenë pas një prej vjedhjeve më të mëdha të kriptovalutave të regjistruara ndonjëherë, bëhet fjalë për vjedhjen e muajit mars ku kripto me vlerë rreth 615 milionë dollarë u zhdukën nga llogari të shumë personave.

Mirëpo zhvlerësimi i parave digjitale, që nisi në muajin maj ka sjellë pasoja edhe në këtë prirje për Korenë e Veriut.

Chain-alysis, një kompani analitike me bazë në Nju Jork thotë se Koreja e Veriut ka kryer të paktën 49 hakime llogarish të kriptovalutave nga viti 2017 deri në vitin 2021. Këto hakerime kanë qenë të majme, por që vlera e tyre ka rënë ndjeshëm, nga mbi 200 milionë dollarë në vetëm 60 milionë këtë vit.

Një grabitje e vitit 2021 me vlerë dhjetëra milionë dollarë ka humbur 80-85% të vlerës së saj në javët e fundit.

Kështu Pyongyangu do të duhet të rimendojë se si të financojë programet e armëve.

Koreja e Veriut ka aktivizuar programin e testeve të raketave. Instituti Korean i Analizave të Mbrojtjes në Seul analizon se vetëm këtë vit Koreja e Veriut ka kryer dhjetëra teste me një kosto prej mbi 600 milionë dollarë.

Pyongyangu po planifikon të rifillojë testimin bërthamor pavarësisht krizës ekonomike që po vuan rajoni. Por zhvlerësimi i kriptovalutave mund ta pengojë arritjen e këtij objektivi.