Zhvendosja në Porto Romano s’do ta pengojë punën në portin e Durrësit, thotë Rama

Punimet për portin e ri të Durrësit nuk do të pengojnë hyrje-daljet dhe aktivitetin e portit tregtar aktual.

Kështu deklaroi të hënën Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të projektit që parashikon zhvendosjen e portit tregtar në zonën e Porto Romanos.

Gjatë konferencës për shtyp, Rama tha se 46% e këtij projekti do të financohet nga qeveria, ndërsa pjesa tjetër do të jetë një investim në partneritet me sipërmarrës privatë.

Në fjalën e tij Rama theksoi se të gjitha kontratat ekzistuese me kompanitë që operojnë apo japin shërbime në portin aktual të Durrësit do të vijojnë të respektohen në garanci të plotë, por që thjesht do të kenë një periudhë tranzitore në kalimin te porti tjetër në momentin kur gjërat do të jenë drejt përfundimit.

“Pika tjetër shumë e rëndësishme është garancia 100% e kontrateve ekzistuese me të  gjithë operatorët ekzistues, ata kanë kontrata të caktuara, kontratat janë të garantuara 100%, thjesht do të ketë spostime nga një vend në vend tjetër, por operacioni ligjor nuk do të pengohet për asnjë subjekt që do të dojë të vazhdojë operimin.

Sipas studimit të fizibilitetit, zhvendosja e portit tregtar me qëllim dhënien e hapësirave projektit prej 2 miliardë eurosh të “Marinës së Durrësit”, do të zbatohet në dy faza, ku vetëm faza e parë kërkon rreth 400 milionë euro.