Zgjedhjet në Pakistan/ Rivalët e Khan, marrëveshje për të formuar qeverinë

Partitë e Nawaz Sharif dhe Bilawal Bhutto në Pakistan kanë arritur një marrëveshje për të formuar qeverinë. Pas zgjedhjeve të javës së kaluar, partia e Bhutto tha se do të ndihmonte partinë e Sharif të zgjedhë një kryeministër.

Të dy partitë ishin më parë në një koalicion që rrëzoi Imran Khan nga pushteti në 2022.

Kreu i PPP-së (Partia Popullore e Pakistanit) Asif Ali Zardari tha në një konferencë për shtyp se megjithëse partia e tij dhe PML-N kishin kontestuar zgjedhjet kundër njëra-tjetrës, ata ishin bashkuar në interes të kombit.

“Nuk është e nevojshme që ne të luftojmë përgjithmonë,” tha Zardari.

Lidhja Muslimane e Pakistanit tha në një deklaratë se të dyja palët kishin rënë dakord të bashkëpunojnë në interes të stabilitetit politik.

Imran Khan dhe partia e tij kanë vazhduar të theksojnë se besojnë se zgjedhjet janë manipuluar kundër tyre dhe planifikojnë të sfidojnë rezultatet.