Zgjedhjet në Himarë, fushatë elektorale në 8 ditë, por PD ende pa kandidat

Komisioni Rregullator pranë KQZ-së mblidhet sot pasdite për të miratuar afatet procedurale të cilat lidhen me zgjedhjet e pjesshme për kreun e Bashkisë Himarë.  Me dekret të presidentit Bajram Begaj, zgjedhjet do të mbahen më 4 gusht 2024.

Bazuar në projektvendimin e publikuar nga KQZ për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve të pjesshme për kryebashkiakun e Himarës, fushata elektorale do hapet më 26 Korrik. Pra partitë politike do kenë pak ditë afat për fushatën zgjedhore për të shpalosur programet e tyre politike.

Dhe duket se kohëzgjatja e fushatës zgjedhore prej 8 ditësh kushtëzohet nga afati i krijimit të KZAZ-ve, regjistrimit të subjekteve zgjedhore, komiteteve nismëtare, koalicioneve si dhe kandidatëve.

Koalicionet zgjedhore duhet të paraqesin në KQZ, kërkesën për regjistrimin si koalicion për zgjedhjet e pjesshme për kryetar në Bashkinë Himarë jo më vonë se 19 Korrik 2024. Ndërsa dokumentet e kandidimit duhet të paraqiten në KZAZ, jo më vonë se 22 Korrik 2024.