Zgjedhja e drejtuesit të ri të AMP, mbyllet procesi brenda javës

Në një deklaratë për mediat, ministri i Brendshëm Taulant Balla ka folur për operacionin e madh të SPAK ku janë lëshuar 11 urdhërarreste. Ai njoftoi po ashtu se brenda javës do të mbyllet procesi i zgjedhjes së drejtuesit të ri të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Ne kemi përmbyllur procesin e përzgjedhjes së drejtuesit të ri AMP, është një proces që Ministria e Brendshme e ka bërë transparent, kanë konkurruar 26 kandidatë, kemi një short-list me 5 kandidatura dhe besoj që brenda javës do e përmbyllim.

Do i propozoj kryeministrit drejtuesin e ri dhe natyrshëm do kemi një komunikim tjetër me ju”, u shpreh Balla.
Kujtojmë se në krye të AMP-së, nga 22 Shtatori i 2022-it deri më 23 Tetor të këtij viti qëndroi Ard Veliu.

Ky i fundit dha dorëheqjen nga ky post, ndërsa Ministria e Brendshme njoftoi më herët se atij do t’i besohet një tjetër detyrë e rëndësishme shtetërore.