Zelensky vjen nesër në Tiranë, ja rrugët që do të bllokohen për çështje sigurie

Tirana do të jetë gjatë ditës së nesërme me masa të shumta sigurie për shkak të Samiteve që do të mbahen si dhe vizitës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky. Presidenti ukrainas pritet të mbërrijë në Rinas në mbrëmjen e 27 shkurtit, ku do marrë pjesë në Samitin për Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor.

Masat e Policisë së Shtetit do të nisin që gjatë ditës më 27 shkurt, ku do të jenë të angazhuar mbi 1600 forca policore.

I gjithë reparti RENEA do të jetë i gatshëm, por edhe FSK-ja.

Ndërkaq, nesër në Rinas do zbarkojnë sektori i Antiterrorit, shërbimet e SHISH dhe RENEA për të mbajtur rendin dhe sigurinë aeroportin e Rinasit.

Sa i takon rrugëve, policia do ndalojë nga nesër parkimet në rrugët ku do bllokohen për shkak të Samiteve.  Po ashtu në të gjitha pikat kufitare janë dërguar informacionet dhe përmbajtjet e personave që dyshohet se kanë prirje ekstremiste që të mos lejohen të futen në vendin tonë.

Mësohet se rrugët që do të bllokohen në intervale të ndryshme janë:

– Rruga “Rinas – Qafë Kashar” dhe anasjelltas;
– Autostrada “Tiranë- Vorë” dhe anasjelltas;
– Unaza e Madhe, nga ish-sheshi “Shqiponja”, deri te rrethi i Sanatoriumit, dhe anasjelltas;
– Rruga e Elbasanit nga rrethi i Sanatoriumit deri tek ura e Elbasanit dhe anasjelltas.
-Gjithashtu, të gjitha rrugën që lidhin rrugën e Elbasanit, me rrugët “Papa Gjon Pali II”, “Dervish Hima”, “Asim Zeneli”, “Themistokli Gërmenji”, “Ismail Qemali”, “Mustafa Matohiti”, “Jul Variboba”, “Faik Konica”, “Fatmir Haxhiu”, “Gjeneral Nikols”, rrugën e Atjonit, “Sheh Ahmet Pazar”, si dhe të gjitha rrugët që lidhin bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me rrugët “Ibrahim Rugova”, “Ukraina e lirë” dhe “Lek Dukagjini”.