Zelensky akuza Rusisë për mbi 400 raste krimesh lufte në Kherson

Presidenti i Ukrainës Volowdymyr Zelensky ka akuzuar Rusinë për krime lufte në zonën e Khersonit, rajon ky që u vu nën kontroll nga Kievi javën e shkuar.

Në një dalje për shtyp përmes një videoje online Zelensky akuzoi ushtarët rusë për kryerjen e mbi 400 krimeve si vrasje civilësh, dhunë, apo plaçkitje. Ai theksoi se hetuesit ukrainas i kanë dokumentuar këto raste “të qëllimshme”, sipas tij, dhe se gjithçka është e ngjashme për nga egërsia si në rajonet e tjera të lindjes.

Zelensky theksoi se Ukraina do t’i shkojë deri në fund përpjekjeve të saj për t’i çuar përpara drejtësisë përgjegjësit e këtyre krimeve.

Rusia mohoi kategorikisht akuzat sipas së cilave trupat e saj në Kherson synonin qëllimisht civilët.

Javën e shkuar Rusia tërhoqi trupat e saj nga ky rajon, ku dhjetëra organizata nisën shpërndarjen e ndihmave humanitare.

Ardhja e tyre dhe forcave ukrainase u prit me mirënjohje nga banorët, të cilët i përshëndetën me një slogan “Lavdi Ukrainës”.

Sidoqoftë situata mbetet e vështirë në Kherson. Zona të ndryshme janë minuar, ndërsa infrastruktura kryesore është rrënuar.

Rajoni do të mbetet nën shtetrrethim nga ora 17:00 deri në orën 08:00 me hyrje-daljet që do të jenë të kontrolluara nga trupat e sigurisë.

Ndërkohë, luftimet vazhdojnë në pjesët e tjera të Ukrainës lindore, ku Zelensky tha se Rusia i ka vazhduar sulmet ajrore në të paktën 5 rajone.

Por sipas Zelenskiy-it trupat ukrainase po ia dalin ta mbajnë linjën e mbrojtjes në nivel të kënaqshëm.

*Tibo News