
Zelanda e Re rihap kufijtë për turistët nga prilli
Zelanda e Re ka prezantuar planin për të rihapur kufijtë e saj për udhëtarët ndërkombëtarë pas një bllokimi prej më shumë se dy vitesh për shkak të koronavirusit.
Australianët do të lejohen të hyjnë në vend pa pasur nevojë të karantinohen ose izolohen nga 13 Prilli.
Udhëtarët plotësisht të vaksinuar nga rreth 60 vende në listën e heqjes se vizave do të mund të mbërrijnë nga dy maji, Këto vende përfshijnë Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA-të.
Të gjithë të ardhurit do të duhet të tregojnë testin negativ për Covid.
Zelanda e Re mbylli kufijtë e saj në Mars të vitit 2020 ndërsa pandemia u përhap. Kufijtë kanë mbetur të mbyllur, me përjashtim të udhëtimeve specifike me Australinë.
Aktualisht vetëm qytetarët e Zelandës së Re lejohen të hyjnë dhe të dalin nga vendi.
Kryeministrja Jacinda Ardern tha se Zelanda e Re ishte gati të mirëpresë turistët nga e gjithë bota.
“Tani kemi marrë udhëzime se është e sigurt të çojmë përpara në mënyrë të konsiderueshme fazën tjetër të punës për rihapjen e kufirit, duke rikthyer turistët tanë”.
Njerëzit që tashmë kanë një vizë – por janë jashtë listës jeshile ku lejohen udhëtimet- do të kenë të drejtën të hyjnë në Zelandën e Re më 1 maj.
Ndërsa bllokimet e ashpra dhe izolimi virtual e ndihmuan vendin të fitojë reputacionin si vendi që përballoi më mirë situatën e Covid, normat e transmetimit janë rritur së fundmi.
Zelanda e Re tashmë ka arritur një shkallë vaksinimi 95% në popullatë. Ajo ka regjistruar vetëm 115 vdekje nga Covid që nga fillimi i pandemisë.
Pavarësisht disa lehtësimeve të masave të izolimit për pacientët me Covid, vendi mbetet në nivelin më të lartë të kufizimeve për tubimet dhe maskat që kërkohen në shumë ambiente.