
Zbulohet zemra 380 milionë vjeçare tek kjo specie
Studiuesit kanë zbuluar një zemër 380 milionë vjeçare brenda një peshku prehistorik të fosilizuar.
Ata thonë se ekzemplari tregon një moment kyç në evolucionin e organit të pompimit të gjakut që gjendet në të gjitha kafshët me kocka kurrizore, përfshirë njerëzit.
Zemra i përkiste një peshku të njohur si Gogo, i cili tashmë është zhdukur si specie.
Zbulimi është publikuar në revistën Science në Australinë Perëndimore.
Shkencëtarja kryesore, Kate Trinajstic nga Universiteti Curtin në Perth ka treguar momentin e zbulimit:
“Ne ishim mbledhur para kompjuterit dhe e kuptuam se kishim një zemër, në fillim nuk e besuam. Ishte tepër emocionuese”.
Zakonisht, janë kockat dhe jo indet e buta ato që kthehen në fosile, por në Kimberley, i njohur si formacioni shkëmbor Gogo, mineralet kanë ruajtur shumë nga organet e brendshme të peshkut, duke përfshirë mëlçinë, stomakun, zorrët dhe zemrën.
“Ky është një moment vendimtar në evolucionin tonë,” thotë shkencëtarja Trinajstic duke shtuar: “Ne kemi evoluar shumë herët dhe ne e dëshmojmë këtë për herë të parë në këto fosile.”
Bashkëpunëtori i saj, shkenëtari John Long nga Universiteti Flinders në Adelaide, e përshkroi zbulimin si ” befasues dhe mbresëlënës”.
“Ne kurrë nuk kemi ditur asgjë për organet e buta të kafshëve kaq të vjetra, deri më tani”.
Peshku Gogo është i pari i një klase të peshqve parahistorikë të quajtur plakodermë. Këta ishin peshqit e parë që kishin nofulla dhe dhëmbë. Para tyre, peshqit nuk ishin më të mëdhenj se 30 cm, por plakodermat mund të rriteshin deri në 9 m në gjatësi.
Plakodermat ishin forma mbizotëruese e jetës së planetit për 60 milionë vjet, duke ekzistuar më shumë se 100 milionë vjet përpara se dinosaurët e parë të ecnin në Tokë.
Skanimet e fosilit të peshkut Gogo treguan se zemra e tij ishte më komplekse sesa pritej për këta peshq primitivë. Ajo kishte dy dhoma njëra mbi tjetrën, të ngjashme në strukturë me zemrën e njeriut.
Studiuesit sugjerojnë se kjo e bëri zemrën e kafshës më efikase dhe ishte hapi kritik që e transformoi atë nga një peshk që lëviz ngadalë në një grabitqar që lëviz shpejt.
*Tibo News