Zbulohet e shkuara e Altin Çokut, dikur ka patur lidhje me vajzën e dajës

39 vjeçari Altin Çoku, i cili u arrestua nga policia pasi i publikoi foto intime Sibela Abedinit në rrjetet sociale, e kjo e fundit kreu vetëvrasje, ka një të shkuar kriminale që daton me vitin 2010. Mësohet se para më shumë se 15 vitesh Altin Çoku kishte krijuar lidhje intime me vajzën e dajës asokohe 18 vjeçe.

Ndërkaq, nga të dhënat e publikuara nga gazetari Spartak Koka, rezulton se vitin 2009, Çoku ishte njohur me një vajzë tjetër me të cilën kishte krijuar lidhje. Pas këtij momenti, kushërira e tij 18-vjeçare i dha fund marrëdhënies me të, por Altin Çoku insistonte që të vazhdonin lidhjen, madje duke e kërcënuar se do t’i bënte keq asaj dhe vëllait të vogël 15-vjeçar, që ishte djali i tij i dajës. Këtij të fundit ai i spërkati lëndë djegëse në trup, ku fatmirësisht të miturin e ndihmuan dy banorë të zonës dhe arriti t’i shpëtonte vdekjes. Në kohën e ngjarjes prokuroria e Kurbinit dërgoi para drejtësisë Altin Çokun si autor të vrasjes së të miturit të mbetur në tentativë. Por pas raportit të ekspertizës mjeko-ligjore Altin Çoku rezultoi me prapambetje mendore të moderuar dhe çrregullime të sjelljes, e që në kohën kur bëri veprën penale ishte i papërgjegjshëm për veprimet e tij. Ndaj Altin Çokut u vendos mjekim i detyruar ambulator, duke shpëtuar nga dënimi me burg.

Këtë gjë ai e shpreh edhe në videot që ka publikuar në rrjetet sociale, teksa thekson se nuk mund të bëjë burg nëse bën diçka pasi vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Ngjarja e rëndë me Sibela Abedinin ka pushtuar rrjetet sociale shqiptare me komente të ndryshme, teksa vajzave iu bëhet thirrje të tregohen të kujdesshme dhe në raste të tjera të mos dërgojnë foto të tyret intime, pasi mund të përdoren si shantazh. Megjithatë në çdo rast, vajzat inkurajohen që të denoncojnë nëse gjenden para një situate të tillë.