Zara vs Zana! Përballja ligjore e Amber për dyqanin në emrin shqip

Një butik me veshje kundër një kompanie të fuqishme si Zara, në përballje ligjore me një kompani të madhe si Zara. Kompania Zara pretendon se marka e pronares së butikut me qendër në Darlington është markë identike me të sajën.

“House of Zana” është kërcënuar me veprime ligjore nga gjigandi spanjoll i veshjeve të modës, me pretendimin se marka është konceptualisht identike me Zara-n.

Avokatët e Zara kërkojnë që Amber Kotrri e cila hapi dyqanin në vitin 2019 pasi e nisi tregtinë e veshjeve fillimisht online, të ndryshojë emrin dhe markën. Por Amber thotë se kjo është gjëja e fundit që i shkon ndërmend të bëjë. Ajo thotë se biznesi i saj ka marrë emrin e fjalës shqipe Zanë, pasi edhe bashkëshorti i saj është shqiptar.

Historia e saj po bën bujë në mediat ndërkombëtare, ku nisi me një email nga avokatët e kompanisë Zara, ku argumentohej se biznesi që nisi Amber me emrin House of Zana shkakton konfuzion tek klientët, kryesisht ata që preferojnë veshjet e Zara-s. Ndërsa në letrën dërguar në dyqanin e Amber thuhej se po cënohej reputacioni i markës Zara.

Në kushtet kur Amber nuk ka ndërmend të ndryshojë emrin e  biznesit të saj dhe të heqë të gjitha markat ekzistuese, që do të shkaktonin një kosto shtesë për të, çështja vijon në një betejë ligjore. Seanca përfundimtare për të vendosur nëse ajo mund ta mbajë emrin “Shtëpia e Zanës” do të mbahet muajin e ardhshëm.

“Emri i brendit tonë është shumë kuptimplotë dhe personal për ne dhe nuk përbën kërcënim komercial për Zara-n dhe tregun e tyre masiv”, thotë Amber duke shtuar: “Ne nuk besojmë se dikush do të ngatërrojë House of Zana me Zara. Ne jemi një biznes i vogël që ka specialitet kimonot e punuara me dorë. Ne kemi një dyqan të vogël në Anglinë verilindore dhe një faqe interneti që na ndihmon të promovojmë produktet tona”.

Amber Kotrri nisi biznesin ndërsa jetonte me bashkëshortin e saj në Shqipëri. Pronari i Zara, Inditex thotë se shpreson që situata të zgjidhet në mënyrë miqësore dhe se në të kundërt, beteja do të zgjidhet në gjykatë.

Zara ka më shumë se 2,500 dyqane në mbarë botën, edhe në Shqipëri.

A do mundet një biznes i vogël si “Shtëpia e Zanës” apo “House of Zana” të fitojë kundër një biznesi të fuqishëm si Zara?  Amber ka lançuar një peticion në rrjetet sociale ku iu kërkon ndihmë të gjithëve.