
Zanafilla e përplasjeve Kinë-Tajvan
Ndarja e ashpër mes Pekinit (Kinë) dhe Taipeit (Tajvan) ka zanafillë luftën civile mes nacionalistëve dhe komunistëve kinezë, luftë e cila nisi fillimisht në vitin 1927 dhe vijoi për rreth dy dhjetëvjeçarë.
Asokohe Kina drejtohej nga partia nacionaliste e Kuomindangut nën udhëheqjen e Chiang Kai-shek, por ky e humbi pushtetin pasi komunistët e udhëhequr nga Mao Tse-tung dolën fitimtarë nga Lufta e Dytë Botërore dhe drejtuan të ashtuquajturin revolucion të kuq.
Në vitin 1949 Kai-shek u shpërngul në ishullin e Tajvanit si qeveri në ekzil dhe prej asaj kohe Kina dhe Tajvani kanë qeveri paralele dhe pretendime të ndryshme për atë që konsiderojnë se i takon të drejtojë vendin.
Me kryeqytet Taipein, Tajvani e quan veten Republika e Kinës. Ata kanë sistemin e tyre politik demokratik, ekonomik dhe gjyqësor, por njihen vetëm nga 15 shtete dhe nuk janë pjesë e Kombeve të Bashkuara pasi zyrtarisht nuk e kanë shpallur pavarësinë nga Kina kontinentale.
Kjo e fundit njihet ndërkombëtarisht si Republika Popullore e Kinës dhe drejtohet nga një sistem komunist që e konsideron Tajvanin pjesë territoriale të saj dhe që gjithmonë ka deklaruar se do të përdorë forcën për ta rimarrë nën kontroll nëse Taipei deklaron pavarësinë.
Në vitin 1992 qeveria e Kuomintangut në Taipei dhe ajo Komuniste në Pekin diskutuan mos-dakordësitë rreth çështjes se kush e përfaqëson Kinën dhe ranë dakord për një politikë të përbashkët të ashtuquajturën “politika e një Kine të vetme”. Kjo nënkupton se komuniteti ndërkombëtar duhet të zgjedhë të mbajë marrëdhënie vetëm me një mes dy territoreve.
Prej asokohe, shumica e shteteve perëndimore, përfshirë këtu edhe Shtetet e Bashkuara, kanë zgjedhur Pekinin.
Ditët e sotme shumica e kinezëve të Tajvanit e duan afrimin me Kinën kontinentale, sidomos për arsye tregtare. Por shumica janë kundër ribashkimit me Pekinin, retorika politike e së cilës është treguar tejet armiqësore duke nxitur lëvizjet për pavarësi në Taipei.
*Përkthyer dhe përshtatur nga AFP/TIBO-News.