“Zana” shqiptare që mundi Zara-n edhe në gjyq

“House of Zana”, e vendosur në Darlington të Anglisë, është shtëpia e Amber Kotrrit prej 4 vitesh tashmë.

Po, fjala “zana” në emërtimin e kësaj shtëpie është fjala jonë në shqip. Amber është e martuar me një shqiptar dhe zgjedhja e emrit nuk ishte rastësore.

Pavarësisht simbolikës, ky emër u bë “mollë sherri” për nxitjen e gjyqit me një nga kompanitë më të njohura tregtare, Zara-n.

Ngjashmëria e emrit të Zana-s me Zara-n bëri që kjo e fundit të kundërshtonte regjistrimin e kësaj marke tregtare dhe të çonte çështjen në gjyq.

 

 “Kam marrë kundërshtimin për markën tregtare por nuk e dija se nga kush ishte, më pas avokatët e Zarës më kontaktuan për të më thënë se kisha tri muaj kohë për të mbyllur dyqanin, në të kundërt do të merrnin masa ligjore. Nuk pranova të nënshkruaja marrëveshjen dhe ndodhi ajo që mund të imagjinohej. Më lajmëruan që po ndërmerrnin veprime      ligjore. Unë nuk kisha asnjë avokat, aq më pak një ekip ligjor që të më mbështeste, kështu që vendosa të përfaqësoja veten time. Gjithmonë e dija se ata kishin xhepa më të mëdhenj se unë, kështu që mblodha provat e mia dhe në maj patëm një seancë ku u prezantuan të gjitha provat,”- është shprehur Amber në një intervistë të dhënë për Business Magazine.

 

Në këtë përballje, fituese gjykata shpalli Amber Kotrrin duke e konsideruar ngjashmërinë e pretenduar të Zara-s, të papërfillshme.

Ajo shprehet falënderuese sepse para se të gjente mbështetjen e gjykatës, fillimisht kishte të klientëve dhe bizneseve të tjera të vogla.

“Unë jam shumë mirënjohëse për të gjitha bizneset e vogla që më kanë qëndruar pranë, të gjithë klientët dhe është kaq fantastike të dish se kemi mundur një markë kaq gjigante të modës.”

 

Amber ka treguar që  Zara nuk ka qenë kurrë pjesë e konkurrencës së saj pasi lloji i biznesit që të dy palët bëjnë, janë të ndryshme.

 “Ndjej se Zara nuk do të ishte kurrë konkurrenca ime, siç nuk do të isha kurrë e tyre,” – ka shtuar Amber.

Rrugëtimi i “House of Zana” ka nisur që në vitin 2018, në një faqe online, për të kaluar më pas në një dyqan në Darlington në 2019-ën.