Zakharova: Problemi më i madh i Evropës është varësia nga SHBA

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova, vlerësoi këtë të mërkurë se vendet evropiane janë plotësisht të varura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjë që, siç tha ajo, është problemi më i madh për Evropën.

Ajo e krahasoi situatën aktuale me shprehjen e lashtë romake “amicus populi Romani”, (miq të popullit romak). Kjo do të thotë, shtoi Zakharova, se shtetet hoqën dorë nga sovraniteti i tyre dhe u varën plotësisht nga Roma, por ata mund ta quanin veten miq të Romës.

“Sot, lista e miqve amerikanë është mjaft e madhe. Ajo përbëhet nga të gjithë ata që nuk mendojnë për qytetarët e tyre, por zbatojnë vullnetin e imponuar nga jashtë. Dhe kjo është pikërisht fatkeqësia më e madhe e evropianëve, jo e Rusisë dhe popullit të saj”, ka shkruar Zakharova në kanalin Telegram.