
Warren Buffett ia kalon prapë Mark Zuckerberg-ut për pasurinë
Warren Buffet i ka marrë fronin edhe njëherë Mark Zuckerberg, themeluesit të platformës Meta. Sipas indeksit të Miliarderëve nga Bloomberg, Warren Buffet tashmë është më i pasur dhe duket se qasjet e tij tek investimet i rritën edhe më shumë vlerat.
Ndërkohë, pasuria neto e Elon Musk, personit më të pasur në botë, ra me 25.8 miliardë dollarë këtë të enjte, rënia e katërt më e madhe njëditore në histori. Ai ka pësuar rënie me 54 miliardë dollarë këtë vit.
Zuckerberg, bashkëthemelues i Meta Platforms, ka parë rënien e pasurisë së tij me 12% ose 15 miliardë dollarë këtë vit.
Pasuria neto e Buffett është rritur me 2.4 miliardë dollarë këtë vit duke kapur vlerën 111.3 miliardë dollarë në total. Ai tani kryeson Zuckerberg me 1 miliard dollarë dhe është në renditjen e tij më të lartë në indeksin e Bloomberg që nga marsi i kaluar.
Filozofia investuese e Buffett dhe fokusi në Berkshire Hathaway Inc., kanë tejkaluar firmat e teknologjisë që nga fillimi i vitit.
Warren Buffet është personi i vetëm në mesin e 10 më të pasurve, vlera neto e të cilit është rritur me ritme kaq të shpejta. Aksionet e Berkshire Hathaway – të cilat përbëjnë 98% të pasurisë së tij janë rritur me 2.3% që nga 1 janari.
Prezenca e vazhdueshme e Buffett mes niveleve më të larta të indeksit të miliarderëve është veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh sasinë e parave që ai ka dhuruar gjatë viteve: pothuajse 22 miliardë dollarë aksione për Fondacionin Bill & Melinda Gates që nga viti 2006.
Ndërkaq Bill Gates, aktualisht renditet në vendin 4 me një vlerë neto prej 127 miliardë dollarësh.
500 njerëzit më të pasur në botë kanë humbur 635 miliardë dollarë këtë muaj.