Wallander në Shkup: Jemi të bashkuar për një Europë të sigurt

“SHBA-ja mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj politikës së dyerve të hapura të NATO-s, për sigurimin e një Evrope të sigurt dhe paqësore dhe ne jemi krenarë për marrëdhëniet e mira të SHBA-së me shtetet anëtare të Kartës së Adriatikut”, ka deklaruar të enjten në Shkup të Maqedonisë së Veriut, Ndihmës Sekretarja e Mbrojtjes së SHBA-së për Çështjet e Sigurisë Ndërkombëtare, Celeste Wallander.

Ajo në Shkup mori pjesë në takimin e 20-të ministror të Kartës SHBA-Adriatik (A-5) ku u bisedua për sfidat rajonale të sigurisë pas pushtimin të paprovokuar të Ukrainës nga ana e Rusisë. Vendet e Kartës SHBA-Adriatik (A5) dënuan njëzëri agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, si kërcënim për paqen dhe sigurinë globale, evropiane dhe rajonale. “Ne nuk jemi vetëm aleatë, ne jemi edhe miq që jemi të bashkuar drejt vizionit të një Evrope paqësore dhe të qëndrueshme, e cila ndjek dhe respekton parimet e lirisë dhe sundimit të ligjit”, tha Wallander.