Vrasja e Liridona Murselit, flet vëllai i të arrestuarit të tretë: Jemi të shokuar!

Numri i të arrestuarve në lidhje me vrasjen e Liridona Murselit shkoi në 3 mbrëmjen e së premtes. Pas arrestimit të bashkëshortit të saj, Naim Murselit, si porositës i krimit dhe Granit Plavës, në rolin e ekzekutorit, në pranga ra edhe Kushtrim Kokalla.

Jemi të shokuar! Por një gjë ta garantoj, se vëllai im në natën kritike, ka qenë në shtëpi. Tjetër gjë nuk di”, tha Kokolla për mediat në Kosovë.

Sipas tij, Kushtrimi ka qenë shumë i lidhur me viktimën. Më tej ai u shpreh se të gjithë janë të shokuar.

“Vallahi nuk e besoj! Ai ka qenë shumë i lidhur me të (Liridonën). Se ne jemi shumë të lidhur familjarisht. Ne jemi rritë bashkë me Liridonën!”.

“Nuk kam informata tani [flet për familjen e Liridonës]. Tri familje jemi ekstrem keq. Të shokuar. Si familjarët e Liridonës, si prindërit e Naimit, si ne, komplet jemi të shokuar. Po na duket si ëndërr e s’po mundemi me besu. Përpos nëse çmendesh, se nuk ka kurrfarë arsye një njëri me e bë atë send”, ka thënë Kanon Kokolla.

Në lidhje me rastin, Policia e Kosovës ka bërë me dije se është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me 19 fishekë dhe një veturë që janë përdorur në krim.

Liridona Murseli u vra të mërkurën mbrëma, teksa po udhëtonte me bashkëshortin dhe fëmijët e saj drejt shtëpisë në Prishtinë.